Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka kujtuar deklaratën e Departamentit të shtetit amerikan në vitin 2018, kur deputetit Tom Doshi iu refuzua kalimi për në SHBA pasi ishte përfshirë në korrupsion.
Ditën e sotme, Kim kujtoi se zgjedhjet e 25 prillit janë afër dhe theksoi se votuesit shqiptarë meritojnë më shumë se kaq. Ambasadorja Yuri Kim ka përsëritur vazhdimisht thirrjet për pastërtinë e kandidatëve që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 25 prillit.
“Ndërsa autoritetet zgjedhore të Shqipërisë përgatisin zgjedhjet, ia vlen të kujtohet ky paralajmërim i bërë nga Sekretari i Shtetit në SHBA-së pas shqyrtimit të kujdesshëm të informacionit. Me siguri, votuesit shqiptarë meritojnë më shumë se kaq,” shkroi Kim.
Tom Doshi si Adriatik Llalla, SHBA i mbylli “derën”
Departamenti Amerikan i Shtetit ne Prill te vitit 2018 denonconi publikisht deputetin shqiptar Tom Doshi sipas ligjit amerikan, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion në nivel të lartë.
Ligji parashikon që në rastet kur Sekretari i Shtetit ka informacion të besueshëm se zyrtarë të huaj janë përfshirë në korrupsion në nivele të larta, apo kanë shkelur të drejtat e njeriut, këtyre individëve dhe familjarëve të tyre të afërt nuk u lejohet të hyjnë në territorin amerikan.
Ligji gjithashtu kërkon që Sekretari i Shtetit të denoncojë publikisht, apo privatisht këta zyrtarë dhe anëtarë e familjeve të tyre.
Veç denoncimit publik të deputetit Doshi, Departamenti gjithashtu denoncon publikisht bashkëshorten e tij, Xhovana Doshi dhe fëmijët e tij.
Nën të njëjtin arsyetim, Departamenti Amerikan i Shtetit i ka ndaluar më herët edhe ish-prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe familjes së tij hyrjen në Shtetet e Bashkuara.
Shefi i diplomacisë amerikane ka miratuar ndalimin e hyrjes në Amerikë edhe të bashkëshortes, Ardjana Llalla dhe fëmijëve.
Më 2 shkurt të 2017, një listë me prokurorë e gjyqtarë, mes të cileve edhe ish-kreu i Prokurorisë, Adriatik Llalla iu refuzua dhënia e vizës amerikane.
Vendimi vinte para nisjes së vettingut dhe u komentua gjerësisht si një vetting amerikan për njerëzit e drejtësisë. Ajo që ndodhi më pas i konfirmoi komentet.
Mes ish-kryeprokurorit dhe ambasadorit amerikan, Donald Lu pati dukshëm një marrëdhënie të tensionuar. Konseguenca me të cilën ambasadori amerikan e ndoqi rrugëtimin e Llallës, edhe pas largimit nga sistemi i drejtësisë tregon që asgjë nuk ishte rastësi, apo qëndrim spontan.
Në kohën kur ish-prokurori deklaroi largimin nga drejtësia dhe për këtë njoftoi edhe organet e vettingut, ambasadori iu rikthye duke bërë të qartë se historinë e Llallës nuk do ta mbyllë as kërkesa e tij për të mos qenë më pjesë e sistemit të drejtësisë.
Përmes dy mesazheve në Twitter, Lu reagoi se vendimi për tërheqje nuk i shfajëson ish-zyrtarët nga përgjegjësitë e mundshme penale për korrupsion, apo shpërdorim.
Po a kanë amerikanët një listë të zezë për të dyshuarit si të implikuar në korrupsion? Një vit më parë e kishin, ndërsa tani zhvillimet tregojnë se ish-kryeprokurori nuk do të jetë i fundit.
Top Channel