‘U rrëzua nga administrata Trump’/ The Guardian: Kurti dhe Osmani aleancë kundër korrupsionit, mund të fitojnë të vetëm zgjedhjet

08/02/2021 10:36

Prestigjiozja The Guardian i ka kushtuar një artikull zgjedhjeve në Kosovë, veçanarisht aleancës mes Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit. The Guardian shkruan se ‘bileta e përbashkët e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit po rezulton efektive, ndërsa fushata hyn në javën e fundit.’

The Guardian shkruan se një aleancë e re politike është mënyra e vetme për të trajtuar “murin e madh të korrupsionit” në Kosovë, kanë thënë kandidatët kryesorë për kryeministër dhe president përpara zgjedhjeve, që për herë të parë mund t’i fitojë vetëm një parti me shumicë parlamentare, që nga shpallja e pavarësisë.

Bileta e përbashkët mes Albin Kurtit për kryeministër dhe Vjosa Osmanit për president, po rezulton e popullarizuar.

Kurti dhe Osmani vijnë nga tradita dhe parti të ndryshme, por kanë deklaruar se ata kanë një vendosmëri për t’i dhënë fund kapjes së shtetit nga një elitë e korruptuar.

Kurti vjen nga e majta dhe është shumë i përqendruar në krijimin e vendeve të punës dhe tek drejtësia, veçanërisht për të rinjtë. Gati gjysma e Kosovës është nën moshën 30 vjeç.

Albin Kurti u bë i famshëm si një aktivist studentor me flokë të gjata në fund të viteve 1990, duke protestuar kundër shtypjes në rritje të shqiptarëve të Kosovës nga Serbia e Sllobodan Milosheviçit. Ai udhëhoqi protestat studentore në Universitetin e Prishtinës, punoi për krahun politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u burgos nga regjimi i Millosheviçit për gati tre vjet.

Tani me flokë të prera dhe ‘serioz’, ai këmbëngul se nuk e ka humbur vendosmërinë e tij.

Osmani, e cila është 38 vjeçe, nënë e dy fëmijëve dhe flet rrjedhshëm katër gjuhë, është nga qendra e djathtë dhe zhvilloi intervistën e saj të parë, me Guardian, kur ishte 17 vjeçare, pasi familja e saj u detyrua të largohej nga shtëpia e tyre në veri të Kosovës. Ajo është një grua e fortë në një politikë të mbizotëruar nga meshkujt dhe u bë presidente e përkohshme pasi Hashim Thaçi u detyrua të shkojë në Hagë për t’u përballur me akuzat për krime lufte në Hagë.

Nëse zgjidhet kryeministër, Kurti ka insistuar që ai dëshiron që Osmani të emërohet presidente.

Partia Vetëvendosje e Kurtit tronditi vëzhguesit në zgjedhjet e Tetorit 2019 kur fitoi shumicën e votave, duke thyer përfundimisht ‘monopolin’ e pushtetit të mbajtur nga partitë e vjetra që nga fundi i luftës 1998-1999.

Por, Kurti kishte nevojë për të formuar një koalicion, diçka që zgjati me muaj, dhe pas vetëm 51 ditësh në detyrë partnerët e tij, Lidhja Demokratike e Kosovës në mars mbështeti një mocion mosbesimi, dhe mesa duket u nxit ta bënte këtë nga administrata Trump.

Ndërsa Covid sapo kishte nisur të përhapej në Kosovë, Osmani, atëherë kryetare e Kuvendit, tha se ajo e konsideronte lëvizjen e partisë së saj si shumë të papërgjegjshme, ashtu siç deklaroi edhe BE.

Kosovarët tani duken të tërhequr nga aleanca e re Kurti-Osmani, duke thënë se Kurti meriton një shans të dytë për t’i dhënë fund kaosit politik dhe për të adresuar problemet e thella të vendit. Por nëse ata dështojnë, zhgënjimi do të jetë i madh.

Osmani këmbëngul se ajo dhe Kurti kanë mësuar se çfarë i duhet vendit të tyre.

“Pengesa më e madhe para nesh është ky mur i madh i krimit dhe korrupsionit ndër vite. Në mënyrë që ta shkatërrojmë ne duhet të bashkojmë forcat. Ne mund të kemi pasur dallime në të kaluarën, por ajo që na ka sjellë së bashku është diçka shumë më e fortë dhe që po lufton armikun kryesor të brendshëm të vendit tonë – kapjen e shtetit. Nuk është se na mungojnë institucionet për të luftuar korrupsionin, por ishte vullneti politik. Sapo politikanët e nivelit të lartë të jenë të korruptuar, ai depërton nëpër sistem.”

Ajo thotë se votuesit s’janë të interesuar për premtime elektorale e ideologji.

Kurti tha: “Korrupsioni ka qenë i madh, por është shumë i përqendruar në krye (të shtetit), ne besojmë se mund ta mposhtim atë. ”

Ai argumenton se mungesa e sundimit të ligjit pengon investitorët.

“Shakaja në Kosovë është pse makiatot janë kaq të mira dhe përgjigjja është sepse ato bëhen nga ata me master në sociologji”. Pranimet (dërgesat) nga diaspora arrijnë 1.5 miliardë euro në vit kur buxheti i shtetit është 2.5 miliardë euro.

Tek Joe Biden, të cilin e ka takuar, Vjosa Osmani do të ketë avantazhin e një presidenti amerikan të angazhuar në rajon dhe ajo sheh një shans për Mbretërinë e Bashkuar që të luajë një rol kryesor krahas SHBA.

Në kontrast, Trump mendoi se mund të ngatërronte dy burra të fortë – presidentin serb, Aleksandar Vuçiç dhe Thaçi – për të rënë dakord për shkëmbime tokash dhe në kthim Serbia mund të njohë Kosovën.

Si pjesë e marrëveshjes, Izraeli i dha Kosovës një njohje të çmuar dhe Kosova do të zhvendosë ambasadën e saj në Jeruzalem. Është një lëvizje që krijon probleme për prespektivën e Kosovës në BE.

Pak më shumë se gjysma e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara ende nuk e njohin shtetësinë e saj, përfshirë pesë anëtarë të Bashkimit Evropian.

Të dy kandidatët mirëpresin njohjen nga Izraeli, por duket se janë të gatshëm të dëgjojnë Uashingtonin për çështjen e ambasadës.

Kurti tha :” Unë nuk mendoj se mund të përballojmë më shumë mosmarrëveshje midis Uashingtonit dhe Brukselit kur bëhet fjalë për Ballkanin. Nëse ka kontradikta, super fuqitë e tjera si Rusia do të futen.”/ The Guardian, përktheu Gazeta SHQIP

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA