Tenderat e miratuar shtatë vitet e fundit do të kalojnë në sitat antikorrupsion të prokurorisë së posaçme SPAK, në funksion të hetimeve të nisura nga antimafia e Katanzaros .
Ndërkohë që, prokurorët e posaçëm i kanë kërkuar informacion agjencisë së prokurimit publik , në të cilin kërkohen detaje për persona të cilët përmenden në përgjimet e italianeve.
Teksa hetimet e SPAK mbi dyshimet se mund të jetë kryer korrupsion, dhe janë kryer veprime në kuadër të grupit kriminal kanë hyrë në javën e tretë , bëhet me dije se ministrisë së drejtësisë i është kërkuar lista e përkthyesve të licensuar të gjuhës italiane për të zbërthyer dosjen italiane ku bëhen pazare. Ky informacion konfirmohet nga zyra e shtypit pranë kësaj ministrie pas pyetjes së Top Channel nëse kanë nisur apo jo përkthimet e materialeve të vëna në dispozicion prokurorëve të posaçëm pas një takimi kokë më kokë në Romë mes prokurorëve të antimafias kombëtare italiane dhe antimafias së Katanzaros. Por lëvizjet më të rëndësishme të SPAK do të jenë kërkesat për informacion drejtuar institucioneve në vijim të hetimeve që u hapën kryesisht pas publikimit të përgjimeve të Katanzaros , nën dyshimet se anëtare të Ndragetës kanë shtrirë ndikimin edhe në Shqipëri. Gjatë këtij mega operacioni ranë në pranga 48 persona mes tyre edhe dy shtetas shqiptare, kurse në bisedat mes të dyshuarve flitet për korrupsionin në Shqipëri dhe pastrimin e parave përmes ndërtimit .
Top Channel