Prej disa ditësh në vendin tonë në njësinë për hetimet kibernetike janë kallëzuar disa raste në lidhje me ndërhyrjen në të dhënat personale në aplikacionin Whatsapp që përdorin qytetarët.
Autori apo autorët ende nuk janë identifikuar. Këta persona, kanë krijuar një skemë ku i shkruajnë qytetarëve në Whatsapp, këtë mesazh që shihni në foto:
“Përshëndetje. Më falni, ju kam dërguar një kod 6-shifror me SMS gabimisht. Mund ta transferoni tek unë? Është urgjente”.
Por, nëse qytetari ia dërgon këtë kod mbrapsh, autorët e këtij krimi, numrin e viktimës e regjistrojnë në një pajisje si numrin e tyre duke ndërhyrë kështu në të dhënat personale. Sipas policisë, autorët që kryejnë këtë sulm, kanë njohje të mëparshme me viktimën. Pra autori nis mesazh nga llogaria në Whatsapp e një viktime tjetër.
Sipas të dhënave që njësia për hetimin e krimi kibernetik disponon, personat që rrezikojnë më shumë janë ata që përdorin Whatsapp-in. Autorët tashmë kanë krijuar një sulm zinxhir tek kontaktet e gati të gjithë personave që kanë rënë preh e këtij sulmi.
Suela Bonjaku, specialiste në Sektorin për Hetimin e Krimeve Kompjuterike: Nëse personat që janë bërë shënjestër nga autori nuk reagojnë apo nuk dërgojnë numrin gjashtëshifror, autori do të vazhdojë të këmbënguli, por nuk mund të realizojë asnjë veprim tjetër dhe as atë veprim për të cilin ishte nisur të kryente, pra marrjen e llogarisë “WhatsApp”.
Ndërkaq, policia bën thirrje që qytetarët të ruajnë të dhënat e tyre personale dhe të mos ndërveprojnë me persona të panjohur.
Top Channel