Kryeministri Edi Rama inspektoi ditën e sotme punimet për ndërtimin e lagjes së re në Ndroq, aty ku po ndërtohet lagjja e re, pas dëmtimeve që la pas tërmeti i 26 nëntorit.
Rama ishte në këtë lagje do të ndërtohen 74 shtëpi banimi, një kopsht, shkollë dhe një qendër sociale, së bashkë me ministrin e Rindërtimit Arben Ahmetaj dhe kreun e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
Ministri Ahmetaj deklaroi se zërat se qeveria nuk do i shpronësojë banorët e zonës janë gënjeshtra elektorale.
“Para 1 jave i kemi dhënë bashkive kontratën për shtëpitë, bashkitë tani fillojnë të futen në procesin e marrëveshjes me familjet që i janë dëmtuar shtëpitë, dhe familjarët e marrin, e trashëgojnë, e shesin i bëjnë çfarë të duan. Thashethemet që qytetarët nuk e shesin dot e shtëpinë nuk janë të vërteta, ndoshta dhe janë thashetheme elektorale”.
Teksa po inspektonte punën, Kryeministri u takua dhe me banorë, të cilët kërkuan me tepër sqarime sa i përket tokës që do t’i merrej, për të finalizuar projektin e rindërtimit aty.
Rama u takua me edhe një çift banorë të zonës. Zonja e shtëpisë iu drejtua kreut të qeverisë për t’i dhënë dorën në formë përshëndetëse, por ky i fundit refuzoi duke e këshilluar të bëjë kujdes për shkak të COVID, e sigurisht që s’kanë munguar as batutat në këtë bisedë…
Rama: Kush po të merr, hape telefonin.
Banorja: Mama.
Rama (i drejtohet burrit): Vjehrra jote. Jepja këtij të flasi, fol me vjehrrën.
Banorja: Kush flet me vjehrrën, kush e do vjehrrën, aman.
Rama-Veliajt: Ky është rasti tipik i planifikimeve nga studioja. Do më lësh të flas mua tani, apo ta zgjidhin këta. Mirë ta zgjidhin këta.
Banorja: Jo, jo, fol. Kërkoj falje.
Rama: Jam i vetmi kryeministër në botë që kërkoj fjalën gjithandej. Ajo rruga atje nuk ka nevojë të jetë me katër korsi. Bëni një rrugë të thjeshtë. Pse do t’i hyni pemëve këtu.
Banorja: Rrofsh kryeministër (i drejton dorën për ta takuar)
Rama: Mos jep dorën.
Banorja: Po lere ta marr COVID-in prej teje. Më the gjithë atë fjalë të mirë mua.
Rama: Puna është të heqësh zakonin se prej meje se merr COVID-in, se unë s’ta jap dorën sido që të vijë puna.
Top Channel