Irani vendos kushte për bisedime/ Biden nuk lëshon pe, sanksionet nuk hiqen

08/02/2021 13:31

Presidenti amerikan, Joe Biden tha se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i heqin sanksionet e tyre ekonomike ndaj Iranit si masë për ta kthyer Teheranin në tryezën e bisedimeve për të diskutuar se si mund të ringjallet marrëveshja bërthamore e vitit 2015.

I pyetur nëse duhet që Irani të ndalonte fillimisht pasurimin e uraniumit, Presidenti Biden tundi kokën në shenjë miratimi. Një zyrtar i lartë sqaroi se me këtë Biden donte të thoshte se Irani duhet të ndalojë pasurimin mbi kufijtë që lejon marrëveshja bërthamore e vitit 2015. Ndërkohë të dielën udhëheqësi Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha se Shtetet e Bashkuara duhet të heqin të gjitha sanksionet nëse Uashingtoni dëshiron që Irani të ndryshojë qëndrim mbi pasurimin e uraniumit.

Irani ka përmbushur të gjitha detyrimet e tij në bazë të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015. Kjo nuk është bërë nga Shtetet e Bashkuara dhe tre vende evropiane. Nëse duan që Irani të kthehet në zotimet e tij, Shtetet e Bashkuara duhet të heqin fillimisht të gjitha sanksionet”, shkruante në Twitter Khamenei. “Pas verifikimit nëse të gjitha sanksionet janë hequr, atëherë ne do të kthehemi tek zbatimi i plotë i marrëveshjes”, shkruante ai. Biden, ka thënë se nëse Teherani kthehet tek zbatimi me përpikmëri i paktit të vitit 2015, Uashingtoni do të bënte të njëjtën gjë, dhe do ta përdorte këtë si një trampolinë për një marrëveshje më të gjerë që mund të kufizonte zhvillimin e raketave nga Irani dhe aktivitet rajonale.

Në 2018 ish-Presidenti Donald Trump e tërhoqi Amerikën nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe vuri sanksione ndaj këtij vendi. Irani e ka shkelur marrëveshjen si kundërpërgjigje ndaj politikave të Presidentit Trump për “presion maksimal”, por ka thënë në mënyrë të përsëritur se mund të ndryshojë qëndrim nëse hiqen sanksionet amerikane.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA