Fshehu kokainë me vlerë 3 milionë euro poshtë krevatit, arrestohet 17-vjeçari shqiptar

08/02/2021 23:01

Një 17-vjeçar me origjinë shqiptare është gjetur i vetëm në banesë duke ruajtur mbi 3 milionë euro kokainë të pastër, të vendosur në dy valixhe.

Karabinierët hynë në banesën në rrugën Rossetti në Sant’Ang Lodigiano, ku gjetën vetëm adoleshentin, i cili mbante 35 kilogramë kokainë e ndarë në pako 1 kg në dhomë poshtë shtratit të tij. Fillimisht tentoi ti pengonte që të hynin në shtëpi teksa ka dyshime se telefonoi dikë për ta paralajmëruar se patrullat kishin mbërritur dhe do të zhvillonin kontrolle në banesë.

Droga e ruajtur në dy valixhe është sasia më e madhe e kapur ndonjëherë në Lodi, e cila nëse shitet në treg mund të jepte më shumë se tre milion euro fitim. Gjatë kontrollit, policia gjeti në dhomën e prindërve rreth 700 gram hashash të paketuar në pako 100 gramësh, të cilat ishin të fshehura në veshje.

I mituri i identifikuar me inicialet A.K, u arrestua dhe iu vu në dispozicion prokurorit të gjykatës për të mitur. Mediat italiane bëjnë me dije se hetimet pritet të shtrihen në familjen e 17-vjeçarit, prindërit dhe vëllait të tij.

Deri tani, nuk rezulton asnjëri prej tyre me probleme me ligjin. Babai është i papunë, ndërsa nëna punon si punëtore në qytet.

Hetimet filluan disa ditë më parë, falë raportit të disa banorëve të lagjes, të frikësuar nga ardhjet e çuditshme të të huajve në banesë. Por nuk përjashtohet mundësia që familja po ruante drogën e dikujt tjetër.

Top Channel