Kryeministri Edi Rama ka inspektuar Lungormaren e re në qytetin e Sarandës duke komentuar vizitat gjatë fundjavës në jug të vendit duke thënë se ka qëndruar larg familjes që prej kohës kur drejtonte Bashkinë e Tiranës.
“Qysh se kam hyrë në zyrë pa llogaritur pjesën përpara kur isha në Bashki dhe gjatë natës, familja është pa mua. Nuk jam afër Lindës, nuk jam afër Zahos, pra është si të thuash një sakrificë në marrëdhëniet më të rëndësishme që e bëj me kënaqësinë e të qenit i zgjedhur për të sjellë ndryshime në të mirë të shumë njerëzve”, tha Rama.
Sa i përket rikualifikimit urban në qytetin e Sarandës, Rama theksoi se do të ndikojë në ekonominë e vendit dhe shifrat e gjeneruara nga lungomarja e Vlorës tregojnë mjaft mirë se do të rritet vlera e patundshme e pasurisë së njerëzve.
“Besoj që nëse unë nuk do të isha këtu dhe nëse nuk do të krijonim mundësinë që këtë që po ndodh këtu ta shikonin dhe të tjerë, dhe pse po bëhet punë e madhe për një transformim që shihet me sy që është rrënjësor në vijën bregdetare të Sarandës, si do ta merrnin vesh të tjerët që kjo po ndodh. Në këtë sens, turizmi im elektoral i shërben zhvillimit të turizmit sepse nuk e di të ketë vajtur ndonjë analist në Nivicë dhe ta ketë promovuar. Këtu po ndodhin gjëra vërtetë të bukura.
Mjafton të shohësh shifrat e ekonomisë në Vlorë dhe shifrat e ekonomisë së gjeneruar nga Lungormarja e Vlorës. Mjafton të marrësh bilancet e pronarëve apo tregtarëve në vijën bregdetare të Vlorës para dhe pas Lungomares dhe është shumëfishim marramendës. Mjafton të shohësh pasurinë e njerëzve që banojnë në atë zonë dhe në zona të tjera ku janë bërë ndërhyrje dhe rivlerësimin e pasurisë si rezultat i asaj ndërhyrje për të kuptuar që ka rritur vlerën e pasurisë së patundshme të njerëzve dhe kjo do të ndodhë edhe këtu.
Këtu ka pasur 4000 persona të punësuar dhe rreth 1000 të rinj me kontratë të përkohshme në periudhën e fundit, marrë në 2019. Puna vazhdon s’ka mbaruar, larg së qëni e mbaruar, flas për të gjithën por fillimi i portit turistik mbrapa dhe kthimi i atij gjiri të braktisur në një gji ku mund të ankorohen disa qindra jahte do të bëjë që ekonomia të rritet përsëri.
Vetëm nga parkimi i jahteve këtu do të ketë një komunitet të ri të huajsh, janë ata që do të rrinë bashkë me jahtet të shumëpaguar bashkë me pronarët e jahteve dhe do rrinë këtu”, tha Rama.
Sa i përket fshatrave të Sarandës, Rama iu përgjigj komentuesve në Facebook që thonë “ktheji sytë nga fshatrat” duke thënë se pavarësisht punës duhet ti jepet rëndësi infrastrukturës rrugore.
“Ka shumë fshatra në Shqipëri dhe në Sarandë që janë pa rrugën që meritojnë. Është e rëndësishme që çdo hap dhe investim ta bëjmë në funksion të gjenerimit. Gjithë plani ynë për infrastrukturën është bazuar te kjo që të krijojmë lidhje aty ku potenciali i të ardhurave është më i madh. Gjithmonë duhet të kemi parasysh se nuk kemi mundësi ti bëjmë të gjitha përnjëherë”, shtoi ai.
Top Channel