Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka takuar sot qytetarët e Gjilanit, të cilëve u ka bërë thirrje që të kenë kujdes në duar të kujt e lënë vendin.
Ai tha se Kosova sot është në një udhëkryq të madh dhe duhet të tregohet kujdes. Limaj u shpreh se premtimet e liderëve partiakë për ekonominë janë pallavra, derisa tha se qeveria e ardhshme do të krijohet për dialogun me Serbinë.
“Kosova është në një udhëkryq të madh, kujdes mos e lini Kosovën në duar të pasigurta, kujdes mos e lini Kosovën në duart e njerëzve të cilët rrugës kanë treguar jo qëndrueshmëri, jo devotshmëri. Kujdes mos e lini Kosovën në duart e atyre të cilët e lënë Kosovën vet dhe ikin prej saj. E ju do ta shihini në dy vitet e ardhshme, tri qeveri janë rrëzuar për shkak të dialogut, krejt çka ju flasin për ekonomi janë pallavra dhe qeveria që do të krijohet është për dialog, si mundësi për t’i hapur perspektivë vendit”, tha Limaj.
Bartësi i Listës së Nismës u ka kërkuar qytetarëve të Gjilanit që para se të votojnë të gjykojnë kandidatët të cilët janë për kryeministër, të kaluarën e tyre dhe çka kanë bërë ata për Kosovën.
Limaj tha se qytetarët duhet të votojnë atë subjekt politik që ju jep më shumë siguri se e mbron zërin e interesin e tyre në Kuvendin e Kosovës.
“Besimi ndërtohet ndër vite me përpjekje, me angazhim dhe me sprovë. Besimi është siguri dhe ju të nderuar të Anamoravës ju ftoj që kur të votoni ta keni parasysh këtë, ku e ndjeni vetën më të sigurt dhe ku besoni se në momentet më të vështira, më të rënda e çfarëdo qofshin ato në parlament kush mbron zërin e juaj dhe interesin e Kosovës. Ftesa ime është që kjo analizë t’i shërbejë para se të votohet, sidomos në pesë drejtuesit tanë, pesë subjektet, na gjykoni shumë ashpër ne që i drejtojmë listat e jo kandidatët. Në mënyrë të veçantë ne të pestit që drejtojmë ekipet tona, neve gjykonani para se të na votoni, kush jemi ne, kush është Avdullahu, Fatmiri, Ramushi, Albini, Enveri. Duke na gjykuar shumë ashpër neve jam i sigurt që nxirrni një ekip të mirë në Parlament, gjykoni të kaluarën tonë, shikoni kush jemi ne”, tha ai.
Limaj ftoi qytetarët të mos gjykojnë nga premtimet, por nga punët që kanë bërë gjatë këtyre viteve.
Ai iu ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë për Nismën Socialdemokrate, në mënyrë që zëri i çlirimtarëve të jetë në Kuvendin e Kosovës.
“Ftojmë që zëri çlirimtar të jetë në Parlamentin e Kosovës si zë i fuqishëm për të mos lejuar e devijuar rrugëtimin tonë në shtetndërtim. Fryma me çlirimtarët i shkon çdo pjese të Kosovës, djemtë dhe vajzat e Anamoravës me dekada e kanë çuar frymën çlirimtare anë e kënd Kosovës. Asnjë vend i dinjitetshëm nuk mund të jetojë, të funksionojë si shtet i dinjitetshëm pa pasur frymën çlirimtare në të gjitha institucionet. Prandaj, me çlirimtarët nuk është me individin, është me frymën, me çlirimtarët i takon djemve dhe vajzave. Në fund kujdes nga mohuesit e historisë, nga ata që mohojnë dhimbjen, vuajtjen që kanë pasur ky popull, ata që mohojnë gjenocid. Ndërsa, ju bashkëluftëtarë të mi kujdes nga ata që kanë fyer luftën e juaj çlirimtare”, tha ai.
Sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, tha se vendi është një udhëkryq të rrezikshëm, e për këtë tha se vendit i duhet zëri i çlirimtarëve dhe i Fatmir Limajt në Kuvendin e Kosovës.
Sherifi para qytetarëve të Gjilanit ka bërë një krahasim në mes kryetarit të Nismës Fatmir Limaj dhe atij të PDK-së Enver Hoxhaj, ku për Limajn tha se në kohën më të vështirë ishte kthyer në vendlindje për të çliruar vendin.
“Tjetri u ndal në Vjenë për të sabotuar luftën e UÇK-së, për të thënë në një moment të caktuar se nëse fiton UÇK unë do të kërkojë azil në Beograd. Imagjinoni zgjedhësit e krahut të luftës në çfarë gjendje i kanë sjellë, në krye ua kanë sjellë një njeri që ka qenë i gatshëm që më me dëshirë të jetojë në Beograd si azilant sesa të fitojë UÇK dhe Kosova të çlirohet”, tha ai.
Ai e ka ftuar që të dal publikisht kryetarin e PDK-së, Enver Hoxhaj, që të tregojë se a ka pasur gjenocid në Kosovë apo jo. Në këtë takim mbështetjen e qytetarëve të Gjilanit e kanë kërkuar edhe kandidatët për deputetë nga kjo komunë.
Top Channel