Rritja e ndjeshme e depozitave vitin e kaluar në 10.5 miliardë euro nuk ka ardhur vetëm nga pasiguritë e shtura prej pandemisë.
E këtij mendimi është ekspertja për ekonominë Elona Shehu, sipas të cilës problematika qëndron në strukturën e tyre. Fakti që të dhënat tregojnë për rritje të kursimeve në depozita pa afat shton ajo, lidhet kryesisht me ekonominë informale.
“Nuk kemi rritje të depozitave me afat që do të ishte një element i lidhjes teorike të drejtë midis rritjes ekonomike dhe rritjes së depozitave me afat. Kjo gjë nuk ka ndodhur. Ka ndodhur një rritje e depozitave pa afat që janë lehtësisht të tërheqshme në çdo kohë dhe për të qenë më pas para jashtë banke. Të gjitha këto janë pjesë e asaj ekonomisë deri diku informale. Sa më lehtësisht të tërheqshme, aq më të manipulueshme ato janë. Unë nuk shoh që ajo pjesa e mesme apo e ulët e shoqërisë të kursejë. Janë thjesht depozita pa afat që hapen për arsye likuiditeti apo veprimtarie që ato kryejnë. Janë shtresa e lartë e shoqërisë ajo që kursen.” Elona Shehu, eksperte ekonomie
Sipas ekspertes Shehu, kjo qasje për të mbyllur paratë në banka ka sjellë edhe një ngrirje të investimeve në vend dhe një reduktim të shpenzimeve, çka do të përkthehet në më pak konsum nga popullata.
“Në këtë periudhë janë pezulluar edhe investimet. Kemi një tendencë ose të mbarimit të atyre të nisura ose një tendencë për shtyrje të investimeve të planifikuara. Planifikimet afatgjata qoftë në investime qofshin në kursim janë duke u tkurrur.” Elona Shehu, eksperte ekonomie
Në këtë moment krize vlerëson Shehu, duhet një riorientim kursimeve familjare nga depozitat bankare te letrat me vlerë të qeverisë, ku norma e kthimit nga ky instrument është më e lartë. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, vitin e kaluar individët investuan në obligacionet e qeverisë 6.9 miliardë lekë apo rreth 56 milionë euro.
Top Channel