Kulla Eiffel i është nënshtruar një ndërhyrjeje estetike, më të madhen në historinë e saj 130 vjeçare, në mënyrë që të ketë pamjen e saj më të mirë të mundshme për lojërat olimpike të Parisit 2024, përfshirë lyerjen me një bojë që do t’i japë një ngjyrim të artë.
Jo vetëm që do të hiqen 19 shtresat e mëparshme të bojës, por ikona e Parisit do të humbasë edhe markën “Kulla e Kaftë” që e mban që nga 1968. Ajo do të kthehet në një imazh të verdhë, të artë, që edhe vetë Gustave Eiffel e donte për monumentin e tij.
Punimet e rinovimit për kullën 324 metra të lartë, me 18 mijë pjesët e saj metalike që janë mbërthyer me 2.5 milionë percina, janë monumentale dhe do të kapin një vlerë prej 50 milionë eurosh. Heqja e shtresave të vjetra të bojës është pak e rrezikshme nga prania e plumbit, që kërkon një protokoll strikt shëndetësor për punonjësit.
Kulla Eiffel ka veshur një pallto të re boje çdo shtatë vite, kjo edhe për shkak të nevojës për mbrojtje të strukturës së saj metalike nga era, shiu, dielli dhe ndotja, por edhe për shkak të mirëmbajtjes së pamjes. Punimet e tanishme nisën në 2019 dhe do të përfundojnë vitin e ardhshëm, kur hija e re e artë, që për momentit mund të pikaset zbehtë vetëm në majë të kullës, do të jetë e dukshme për të gjithë.
Kulla Eiffel do të luajë një rol të rëndësishëm në Lojrat Olimpike të verës në Paris, në 2024 pasi do të shërbejë si një sfond për triatlonën dhe garat e notit.
Top Channel