Policia kineze shkatërron grupin që shiste vaksina të rreme për COVID-19

03/02/2021 20:18

Policia kineze ka arrestuar më shumë se 80 persona të dyshuar të një grupi kriminal, i cili ka prodhuar dhe shitur vaksina të rreme kundër koronavirusit, në dhe jashtë Kinës.

Zyrtarët policorë në Pekin dhe në provincat Jiangsu dhe Shandong, kanë nisur operacionet pasi ka pasur dyshime se janë duke u prodhuar vaksine të rreme me përbërje të thjeshtë kripore, ka raportuar agjencia e lajmeve, Xinhua.

Vaksinat janë shitur në Kinë dhe në shtetet tjera, ndonëse ende nuk janë bërë të ditur emrat e vendeve tjera, transmeton AP.

Sipas medias shtetërore, ky grup ka qenë aktiv prej shtatorit të vitit të kaluar.

“Kina tashmë ka raportuar për këtë situatë te vendet tjera relevante”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin.

“Qeveria kineze vlerëson lart sigurinë e vaksinës dhe do të vazhdojë të bëjë përpjekje për të ndjekur penalisht secilin falsifikim, shitje të rreme dhe biznese joligjore”, ka thënë Wang.

“Në të njëjtën kohë, Kina do të forcojë bashkëpunimin me shtetet relevante për të parandaluar përhapjen e këtyre veprimeve joligjore dhe kriminale”, ka thënë mes tjerash ai.

Kina ka një histori të gjatë të skandaleve me vaksina, duke nisur nga problemet me prodhim e deri te praktikat biznesore.

Më 2016, policia ka arrestuar dy persona, të cilët kanë qenë të angazhuar në një rrjet të shitjes së miliona vaksinave të ruajtura në mënyrë joadekuate në gjithë territorin kinez.

Si përgjigjje ndaj kësaj, Kina ka reformuar rregulloret për siguri të vaksinave dhe ka rritur gjobat për ata që kryejnë shkelje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA