Në Mianmar është mbajtur mbledhja e parë e kabinetit të ri qeveritar pasi ushtria mori pushtetin, transmeton (AA).

Sipas një njoftimi nga departamenti i informacionit të ushtrisë së Mianmarit, takimi i Këshillit të Ministrave u mbajt në pallatin presidencial me pjesëmarrjen e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe Presidentit Min Aung Hlaing, zv/presidentit Myint Swe dhe nëntë anëtarëve të kabinetit të emëruar si zëvendësim të ministrave që u shkarkuan dje.

Në njoftim thuhet se Hlaing gjatë takimit diskutoi planin e veprimit me ministrat në kuadër të gjendjes së jashtëzakonshme që do të zgjasë për një vit.

Ushtria e Mianmarit, e njohur zyrtarisht si Tatmadaw, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme të hënën, disa orë pasi arrestoi udhëheqësen “de facto” të vendit dhe Këshilltaren e Shtetit, Aung San Suu Kyi dhe anëtarët e tjerë të lartë të partisë në pushtet, Lidhjes Kombëtare për Demokraci (NLD).

Gjithashtu gjatë mbledhjes së kabinetit, theksohet në njoftim, u diskutuan edhe çështje të tilla si vazhdimi i udhëtimit të brendshëm dhe turizmit, rihapja e tempujve dhe vendeve të adhurimit, vazhdimi i aktiviteteve të sektorit të ekonomisë në përputhje me masat e koronavirusit të ri (COVID-19), ringjallja e ekonomisë dhe rritja e mundësive të punës.

Autoritetet e partisë NLD njoftuan se gjendja shëndetësore e Suu Kyi “është e mirë” atje ku ajo po mbahet, ndërsa nuk u njoftua asnjë informacion për vendndodhjen e saj.

Pas grusht shtetit ushtarak më 1 shkurt, dje u shkarkuar rreth 24 ministra dhe zëvendësit e tyre, si dhe u emëruan 11 ministra të ri.

Grusht shteti u krye disa orë para seancës së parë të parlamentit të ri të vendit, i cili ishte caktuar të mblidhej pas zgjedhjeve të nëntorit të kaluar në të cilën partia NLD e Suu Kyi arriti fitore të madhe. Ushtria pretendon se grusht shteti erdhi si shkak “i mashtrimit të zgjedhjeve”, gjë që rezultoi me mbizotërimin e NLD-së në parlament.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA