Ligj i ri kundër pastrimit të parave/ Kontroll agjentëve imobiliarë, të afërmve e bashkëpunëtorëve të zyrtarëve

03/02/2021 15:03

“Parandalimi i pastrimit të parave është një nga sfidat më të mëdha të çdo qeverie. Së fundmi, Financat kanë hedhur për konsultim publik një draft ligj të ri në përpjekje për të frenuar këtë fenomen. Ndërhyrjet parashikojnë edhe rritjen e numrit të subjekteve që do të mbikëqyren nga institucionet përkatëse.”

Zgjerimi i listës do të përfshijë edhe ambasadorët e të ngarkuarit me punë, teksa monitorim më i rreptë parashikohet edhe për agjentët e pasurive të patundshme.

Krahas shit-blerjeve, ato do të duhet të bëjnë edhe raportimin e marrëdhënieve të qirave, kur veprojnë si ndërmjetës për transaksione që arrijnë vlerën e 500 000 lekëve apo në rastet që tejkalojnë atë.

Grupime të tjera që do të kalojnë në “sitë”, përshijnë individët që tregtojnë mallra e shërbime për të cilët kryejnë pagesa në para fizike në rreth 1 milionë lekë apo më shumë, audituesit ligjorë e kontabilistët si dhe çdo person tjetër që ofron ndihmë apo asistencë për çështje të ndryshme tatimore.

Ndryshimet e tjera ligjore parashikojnë monitorimin dhe vëzhgimin jo vetëm të ‘personave të ekspozuar politikisht’, por për herë të parë edhe të shokëve të tyre, anëtarëve në certifikatën familjare, të prindërve, bashkëpunëtorëve,  çdo personi që është bashkëpronar me zyrtarin si çdo personi që ka interesa të përbashkëta.

Në kuadër të forcimit të masave parandaluese, drafti parashikon ndër të tjera edhe ndryshimin e vlerës minimale të transaksioneve nga subjektet, duke vendosur detyrime për deklarimin edhe për ato më të vogla se 100 mijë lekë.

Në projektligj janë bërë edhe disa saktësime mbi terma konkrete që përfshijnë atë të bankës guaskë, që përfaqëson një institucion kreditor apo financiar por që nuk ka prani fizike dhe që nuk është pjesë e një grupi të rregulluar financiar.

Përpjekjet e qeverisë për të goditur këtë fenomen kanë qenë të vazhdueshme nga ana ligjore. Në 2020, ekzekutivi ka miratuar një sërë draftesh si ai për Shkëmbimin automatik të informacionit, ligjin për regjistrin e pronarëve përfitues për të bërë publike emrat e kompanive off-shore, për t’u ndjekur më pas nga akte të tjera si krijimi i regjistrit të llogarive bankare I cili ka hyrë tashmë në fuqi.

Pavarësisht tentativave të herëpashershme, pas daljes në vitin 2015, Shqipëria iu rikthye sërish një vit më parë listës gri të vendeve që paraqesin rrezik për pastrimin e parave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA