Presidenti Francez, Emmanuel Macron, i kërkoi Bashkimit evropian të ndihmojë fqinjët e tij evropianë në garën për të siguruar vaksinat anti-covid, gjatë një takimi në Paris me presidentin serb, Aleksander Vuçiç.

Duke folur nga pallati i Elizeut, Macron tha se Franca dhe Evropa mund të kishin qenë më shumë të pranishme në krah të Serbisë, në një reagim të dukshëm ndaj kritikave të mëparshme nga Vuçiç, që tha javën e shkuar se ai kishte pritur më shumë mbështetje nga BE.

Unë mendoj se si evropianë, ne duhet të kishim qenë më efikas në këtë pikë. Dhe ky është edhe vullneti i kancelares Merkel, presidentes Von der Leyen, etj. Ne do të vazhdojmë të përshpejtojmë ritmin në mënyrë që të gjendemi në krah të popullit serb dhe popujve të tjerë të rajonit”, tha Macron.

Kritika për mbështetjen e munguar të BE për sa i takon vaksinave për Ballkanin, ka pasur edhe nga liderë të tjerë rajonalë, përfshirë kryeministrin shqiptar, Edi Rama.  Serbia ndërkohë e ka nisur fushatën e vaksinimit muajin e kaluar, me vaksinën kineze Sinopharm. Temë diskutimi në takimin në Paris, ishte ndërkohë edhe Kosova. Macron tha se në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, është e rëndësishme që të arrihet një zgjidhje për të cilën bien dakord të dyja palët ndërkohë që Vuçiç pranon se marrëdhënia Kosovë-Serbi nuk është aspak e lehtë.

Nuk është një çështje e lehtë për ne. Unë mendoj se duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të arritur tek një zgjidhje kompromisi për të dyja palët dhe deri më tani, kjo ka munguar”, tha Vuçiç.

Vuçiç ka pritur në Beograd Presidentin francez, më herët në korrik të 2019, dhe e konsideron atë një mik të Serbisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA