Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, sqaroi sot Strategjinë Kombëtare të vaksinimit kundër koronavirusit të ri (COVID-19), duke theksuar se vaksinimi në vend do të kryhet në 3 faza.

Në një prononcim për mediat lokale, Filipçe rikujtoi se strategjia është miratuar nga Qeveria më 26 janar, ndërsa shtoi se ajo është përpiluar në përputhje me principet dhe rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe organizatave tjera vendase dhe ndërkombëtare.

Sipas Anadolu Agency, vaksinimi në shtet do të zbatohet në tri faza në të cilën janë të përfshirë kategori të ndryshme të qytetarëve, në përputhje me sasitë e para të vaksinave.

Në fazën e parë vaksinë do të pranojnë punonjësit shëndetësorë që janë në rrezik të lartë për t’u infektuar me COVID-19, si dhe personat më të moshuar se 70 vjet të cilët janë me rrezik të lartë të zhvillimit të sëmundjes, komplikimeve dhe vdekjes.

“Si prioritet, tashmë i kemi me emër dhe mbiemër punonjësit shëndetësorë që do të marrin vaksinat, këtu në Qendrën Klinike në një lokacion, ndërsa në qytete të tjera në qendrat shëndetësore ku aplikohen vaksinat”, theksoi Filipçe.

Ai gjithashtu u shpreh se sa i përket qytetarëve tjerë në përputhje me moshën dhe gjendjen e tyre shëndetësore, është përpiluar një listë me emrat dhe mbiemrat e rreth 14 mijë personave, të cilët do të thirren për t’u vaksinuar nga mjekët amë.

Filipçe sqaroi se në fazën e dytë është paraparë vaksinimi i grupit së qytetarëve më të vjetër se 65 vjeç, e që janë me rrezik të lartë të zhvillimit të sëmundjes.

Gjithashtu, në këtë fazë janë përfshirë edhe personat nga 20-65 vjeç që kanë komorbiditete apo janë me rrezik të lartë të zhvillimit të sëmundjes.

Përpos kësaj, në fazën e dytë janë përfshirë edhe punonjësit shëndetësorë me një rrezik të moderuar të infektimit, punonjësit e institucioneve vitale për funksionimin normal të shoqërisë, si dhe punonjësit e institucioneve arsimore të përfshira në edukimin fizik dhe punonjësit e çerdheve.

Në fazën e tretë janë paraparë të vaksinohen punonjësit e institucioneve tjera thelbësore për funksionimin normal të shoqërisë, punonjës të tjerë në arsim, punonjësit shëndetësorë me rrezik të ulët për t’u infektuar, grupe shoqërore me rrezik më të lartë të infektimit, si dhe individë të shëndoshë të moshës 30 deri 64-vjeçare.

Ministri Filipçe gjithashtu tha se është zhvilluar një logjistikë e sigurt për pranimin, ruajtjen dhe shpërndarjen e vaksinave në lokacionet ku do të bëhet vaksinimi.

Ai tha se për vaksinat të cilat nevojitet të ruhen në temperaturë prej 2-8°С do të shfrytëzohet infrastruktura shëndetësore ekzistuese. Sa i përket vaksinave që duhet të ruhen në temperaturë prej -70°С apo -20°С, Filipçe tha se janë siguruar frigoriferë që do të mundësojnë deponim qendror të vaksinave, prej ku do të shpërndahen në lokacionet ku kryhet vaksinimi.

Filipçe gjithashtu tha se për realizimin e vaksinimit do të shfrytëzohet infrastruktura dhe kuadri aktual i cili deri më tani ka kryer vaksinimin në shtet.

Maqedonia e Veriut është ende në pritje të arritjes së vaksinave të para kundër COVID-19, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar se ajo do të jepet falas për qytetarët e vendit.

Në dhjetor të vitit të kaluar, ministri Filipçe u shpreh se “janë siguruar 833 mijë vaksina për 400 mijë qytetarë përmes mekanizmit COVAX”, duke shtuar se vaksinat do të pranohen në përputhje me planin e shpërndarjes që COVAX do ta përcaktojë.

Gjithashtu, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, më 18 janar njoftoi se Serbia ofroi të paktën 8.000 vaksina nga dërgesa e saj nga prodhuesi “Pfizer”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA