Qendër e re shëndetësore në Tiranë, Veliaj dhe Manastirliu përurojnë godinën për 12 mijë banorë

30/01/2021 15:36

Në lagjen 13 të kryeqytetit ka përfunduar qendra e re shëndetësore që do të ofrojë shërbim për banorët e Selitës, Kodrës së Diellit dhe Liqenit të Thatë të cilët nuk kanë më nevojë të shkojnë në Njësinë 5 për të kryer vizitat shëndetësore.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu përuruan qendrën e re shëndetësore e cila do t’u shërbejë 12 mijë banorëve. Kryebashkiaku Veliaj tha se hapja e kësaj qendre shëndetësore është një lajm i mirë për banorët për faktin se tashmë do të ofrohet i njëjti shërbim, si në qendër, ashtu edhe në periferi.

Veliaj: Ky është një lajm i mire për një lagje që është rritur jashtëzakonisht shumë. Tani po i vijnë shërbimet, jo vetëm për zonën e Liqenit të Thatë, Kopshtit Botanik, Kopshtit Zoologjik, por edhe për të gjithë pjesën pranë autostradës, që ndan Njësinë 5 me Lagjen 13. Ky lajm i mirë do te vije edhe për Astirin dhe Freskun. Në Qesarakë po funksionon shume mire dhe më në fund, edhe në Lanabregas ofrohet i njëjti shërbim, si në qendër, ashtu edhe në periferi.

Ministrja Manastirliu tha se kjo qendër shëndetësore do të ofrojë paketën e plotë të shërbimeve në kujdes parësor, duke filluar nga mjeku i familjes, vaksinimi dhe imunizimi, sipas kalendarit kombëtar për fëmijët, që përfshin 12 vaksina, recetat me rimbursim për të sëmurët kronikë dhe ndjekjen e pacientëve me Covid 19.

“Shërbimet që ofrohen fillojnë nga konsultat tek mbështetja për të sëmurët kronikë, gjithë elementët që janë pjesë e paketës së rumbursimit falas, duke përfshirë edhe trajtimin anti-covid”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Ajo shtoi se nga e hëna do të hapen dhe 4 pika të tjera testimi anti-covid, duke e çuar ne 10 numrin e tyre në kryeqytet. “Kemi vijuar punën edhe për pikat e testimit anti-covid. Në Tiranë kemi 4 pika. Nga dita e hënë do shkojmë në 6 pika testimi”, tha Manastirliu.

Në Bashkinë e Tiranës, në këto 3 vite, janë transformuar 34 qendra shëndetësore dhe ambulanca, duke ofruar shërbim cilësor për qytetarët dhe kushte më të mira pune për personelin shëndetësor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA