Spitali i Burrelit pa mjek gjinekolog, gratë lindin në Lezhë ose Tiranë. Pas interesimit të Fiks Fare, MSH rinovon kontratën e mjekut

26/01/2021 20:30

Materniteti i Burrelit prej një muaji është pa mjek gjinekolog dhe gratë detyrohen që lindjet t’i bëjnë në Tiranë ose në Lezhë.

Mjeku që ka qenë në këtë spital i ka përfunduar kontrata 2 vjeçare dhe kërkesa për ta rinovuar atë, ende nuk ka marrë miratim nga Ministria e Shëndetësisë.

Erion Tusha nga fshati Koms i Burrelit ankohet në Fiks Fare pasi gruaja e tij 8 muajshe shtatzënë nuk e merr dot shërbimin në maternitetin e Burrelit.

Ai shpjegon se ajo ka një shtatzëni të vështirë dhe për këtë i duhen vizita dhe mjekime të shpeshta, dhe prej 10 ditësh ai i është drejtuar maternitetit të Burrelit, por e vetmja përgjigje që merr është se nuk ka mjek dhe duhet që gruan ta çojë në Lezhë ose në Tiranë. Në maternitet janë vetëm infermieret dhe sanitaret dhe ato i tregojnë se mjeku ka ikur që në dt 28-29 dhjetor se i ka mbaruar kontrata. Zgjidhje të vetme ka drejtimin në dy qytetet e sipërpërmendura.

Edhe në bisedën e qytetarit Tusha me mjeken neanatologe Ëngjëllushe Gjoka konfirmohet se mjekut Halit Karanxha nga Malisheva e Kosovës i ka përfunduar kontrata dy vjeçare. Në këto kushte të gjitha gratë e Burrelit, por edhe të zonave përreth kur paraqiten për lindje, i dërgojnë me ambulancë drejt Lezhës apo Tiranës .

Qyteti i Burrelit aktualisht ka një gjinekolog i cili ka dalë në pension, por ai punon në klinikën e tij private dhe shumica e grave që presin fëmijë ekot dhe mjekimet e nevojshme i marrin pranë klinikës së tij. Por Erion Tusha shprehet se nuk i ka mundësitë ekonomike që të shoqen ta ndjek në një klinikë private, por me të drejtë kërkon që shërbimin ta marri në institucionin shëndetësor publik.
Fiksi iu drejtua edhe drejtorisë së Spitalit Rajonal Burrel, ku drejtori Roland Meta i emëruar vetëm para një muaji në këtë post, shpjegon mungesën e mjekut gjinekolog për shkak të përfundimit të kontratës.

Ai shpjegon se kanë bërë kërkesë pranë Ministrisë së Shëndetësisë, por që ende nuk është miratuar dhe firmosur nga ministria. Ndërkohë pyetjes së gazetarëve se si trajtohen gtarë shtatzëna që kanë urgjencë, ai shpjegon se ato duhet të paraqiten pranë urgjencës së spitalit dhe më pas organizohet nga spitali transferimi drejt qytetit të Lezhës apo Tiranës me ambulancë.

Menjëherë pas interesimit të Fiks Fare, Ministria e Shëndetësisë rinovoi kontratën e mjekut gjinekolog nga Malisheva, z Halit Karanxha.
Mjeku Karanxha prej 2-3 ditësh ka filluar shërbimin pranë spitalit Rajonal të Burrelit dhe të gjitha gratë e zonës së Matit nuk do t’u duhet të udhëtojnë drejt spitaleve të Lezhës apo të Tiranës për të marrrë shërbimin mjeksor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA