Pas një ngërçi pesë vjeçar dhe një tejnxehje të marrëdhënieje deri në pikën e afrimit rrezikshëm me konfliktin e armatosur, Greqia dhe Turqia bënë përpjekjen e një hapi drejt pajtimit.
Pas takimit tre orësh të delegacioneve nga të dyja palët në Stamboll, burime diplomatike konfirmuan se bisedimet e nivelit të lartë do të vazhdojnë. Raundi i dytë pritet të mbahet në Athinë. Edhe BE, SHBA dhe NATO e kanë përshëndetur fillimin e bisedimeve, megjithëse ato janë tërësisht jozyrtare dhe vetëm një lloj përgatitjeje për negociata të vërteta. Në të njëjtën kohë ato janë një mundësi si për Athinën edhe Ankaranë të mbeten në kontakt, edhe nëse nuk shënohet ndonjë progres në drejtim të një dialogu konstruktiv.
60 raundet e para nuk sollën zgjidhje, pra pritshmëritë ndaj raundit të 61-të janë të pakta. “Ne do të diskutojmë temat, për të cilat kemi biseduar edhe në bisedimet e mëparshme të informimit”, është shprehur ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavusoglu gjatë një konference shtypi bashkë me ministrin e Jashtëm gjerman, Heiko Maas. Dhjetorin e kaluar krerët e shteteve dhe qeverive të BE, kishin rënë dakord që të vendosnin sanksione kundër Turqisë për shkak të kërkimeve për gaz para brigjeve greke dhe qipriote. Çavusoglu atëherë deklaroi, se Turqia nuk ka frikë nga sanksionet, por synon ruajtjen e „një atmosfere pozitive” me BE-në dhe nuk dëshiron tensione me vendet anëtare. Pas kësaj tema e sanksioneve u shty për në mars. Për shkak se kriza ekonomike në Turqi së fundmi është ashpërsuar, sanksionet mund të dëmtonin edhe më shumë ekonominë turke.
Top Channel