Schumer: Gjyqi i ish-presidentit Trump fillon në javën e dytë të shkurtit

23/01/2021 03:30

Gjyqi i ish-Presidentit Donald Trump do të fillojë në javën e dytë të shkurtit, tha udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer të premten, pasi Dhoma e Përfaqësuesve të dorëzojë zyrtarisht akuzën në Senat të hënën.

Ndaj ish-presidentit është ngritur një akuzë e vetme: nxitja e protestave me dhunë lidhur me sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar. Senatori Schumer theksoi nevojën për konfirmim pa vonesë të emërimeve të Presidentit Biden për postet e kabinetit dhe për pozicione të tjera kyçe në administratë. Zoti Schumer tha se ligjvënësit që do të veprojnë si prokurorë si dhe ekipi mbrojtës i ish-presidentit Trump do të kenë kohë të përgatiten për të prezantuar argumentet në proces.

“Gjatë kësaj periudhe, Senati do të vazhdojë punët e tjera për popullin amerikan, si emërimet për poste kabineti dhe paketën në përgjigje të krizës së COVID-it për të ndihmuar miliona amerikanë që po vuajnë në këtë pandemi,” tha ai.

Vendimi erdhi pasi zoti McConnell i kishte kërkuar Dhomës së Përfaqësuesve që të shtynte dorëzimin e akuzave deri të enjten e ardhshme dhe të binte dakord që fillimi i gjyqit kundër ish-Presidentit Trump të shtyhej deri në mes të shkurtit, për t’u dhënë kohë avokatëve të tij për të përgatitur një mbrojtje kundër akuzës.

“Procesi për shkarkimin filloi me një procedurë jashtëzakonisht të nxituar dhe minimale në Dhomën e Përfaqësuesve, tha zoti McConnell të premten. “Nuk mund të pasohet me një proces të mangët në Senat që do t’i mohonte ish-Presidentit Trump procesin e duhur, ose të dëmtonte senatin apo edhe vetë presidencën”, shtoi ai. Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi akuzën javën e kaluar në përgjigje të sulmit vdekjeprurës në Kapitol nga mbështetësit e ish-presidentit Trump.

“Ne duam ta mbyllim dhe ta lëmë pas këtë kapitull të tmerrshëm në historinë e vendit tonë. Por shërimi i plagëve dhe uniteti arrihen vetëm nëse ekziston e vërteta dhe llogaridhënia; këtë do ta ofrojë gjyqi,” tha zoti Schumer. Chuck Schumer u bë kreu i shumicës në Senat këtë javë, pasi demokratët siguruan dy vende të tjera në këtë Dhomë pas garave në Xhorxhia në fillim të muajit. Demokratët kontrollojnë Senatin me epërsinë më të ngushtë të mundshme, duke u mbështetur në votën e Nënpresidentes Kamala Harris për të thyer ndarjen në mënyrë të barabartë të votave 50-50, dhe gjithashtu kanë nevojë për bashkëpunimin e republikanëve për të çuar përpara shumë elemente të axhendës së Presidentit Biden, si dhe për të konfirmuar emërimet për Kabinetin e tij.

Ish-presidenti republikan u largua nga zyra të mërkurën dhe udhëtoi për në vendpushimin e tij në Florida, disa orë para se të betohej demokrati Joe Biden. Zoti Trump është i vetmi president amerikan ndaj të cilit janë ngritur akuza dy herë, dhe gjyqi i tij në Senat do të jetë i vetmi që ka ndodhur ndonjëherë pasi një president është larguar nga detyra./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA