Kryediplomati iranian: Administrata e Biden-it mund ta shpëtojë marrëveshjen bërthamore

23/01/2021 08:11

Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Mohammed Javad Zarif, tha se administrata e presidentit amerikan Joe Biden mund ta shpëtojë marrëveshjen bërthamore por “dritarja e mundësisë” nuk do të jetë e hapur përgjithmonë.

Sipas Anadolu Agency (AA), revista amerikane “Foreign Affairs” publikoi artikullin e ministrit Zarif ku ai vlerësoi administratën e presidentit të ri amerikan Joe Biden, marrëveshjen bërthamore dhe sanksionet.

Zarif tha se administrata e Biden-it duhet ta bëjë hapin e parë për të kompensuar politikën e presionit maksimal të Trump-it, për të cilën theksoi se ka dështuar, duke shtuar se “SHBA nuk mund të përmirësojë aq lehtë gabimet e bëra”.

“Administrata e Biden-it mund ta shpëtojë marrëveshjen bërthamore por me kusht që të ketë vullnet të vërtetë politik në Washington. ‘Dritarja e mundësisë’ nuk do të jetë e hapur përgjithmonë për administratën e re në SHBA. Washingtoni është ai që duhet të bëjë hapin e parë”, deklaroi Zarif.

Ai më tej tha se, “administrata e re ose do të vazhdojë gabimet e Trump-it ose do të mundohet ta sigurojë paqen në rajon, presidenti i SHBA-ve”, duke shtuar se Joe Biden mund t’u japë fund politikave të pasuksesshme të presionit maksimal të Trump-it.

Kryediplomati iranian gjithashtu theksoi se Biden mund t’i rikthehet marrëveshjes bërthamore prej së cilës u tërhoq Trump, me çka edhe Irani do ta zbatojë marrëveshjen në tërësi.

“Administrata e Biden-it mund të fillojë me tërheqjen e të gjitha sanksioneve të vendosura nga Trump-i dhe t’i rikthehet marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 duke mos e ndryshuar përmbajtjen e saj. Pasi që të bëhet ky hap do të hapet një mundësi e re për të siguruar paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha Zarif.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA