Liderët e BE përballen me kërcënimin nga variantet e reja të koronavirusit ndërkohë që vende të ndryshme kërkojnë kufizime të udhëtimeve në kufijtë e brendshëm të Evropës për të ndaluar përhapjen. Shefat e shteteve diskutuan në një samit virtual për mënyrën se si blloku duhet të adresojë rrezikun.
Mutacionet e virusit që po përhapen nga Britania, Afrika e Jugut dhe Brazili, kanë alarmuar autoritetet evropiane për shkak se janë më infektues dhe kanë çuar në ndalime apo kufizime të udhëtarëve nga këto vende.
Tani po kërkohet të bëhet më shumë, me thirrje për të mbyllur kufijtë e brendshëm të BE-së me qëllim që të ndalohet përhapja. Por, kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se një hap i tillë do të konsiderohej si mjeti i fundit. Sipas saj, qëllimi kryesor është ai i reduktimit të infektimeve në të gjithë vendet anëtare pasi sipas saj, nëse një vend me një shkallë infektimi ndoshta dy herë më të lartë se Gjermania, hap të gjithë dyqanet, ndërkohë që ne i kemi mbyllur, atëherë ekziston një problem serioz.
Nëse kjo nuk është e mundur atëherë edhe kontrollet në kufi nuk mund të përjashtohen – tha ajo. Liderët nënvizuan nevojën për koordinim në mënyrë që të evitohet eksperienca e Marsit kur disa vende anëtare u mbërthyen nga paniku dhe mbyllën në mënyrë të njëanshme kufijtë, duke shkaktuar kaos në udhëtime. Ai vendim u pa si katastrofik, pasi dëmtoi akoma më tej ekonominë evropiane në vështirësi dhe liderët duhet të punojnë shumë tani për të gjetur mënyra për të zbrapsur variantet e reja duke mbajtur ndërkohë fabrikat dhe bizneset të hapura.
Belgjika, kërkon një mbyllje të përkohshme gjatë periudhës së pushimeve mes shkurtit dhe marsit, kur feston një sezon karnavalesh dhe miliona evropianë zakonisht i drejtohen resorteve malore. Për momentin, variantet e reja mbeten një pjesë e vogël në totalin e rasteve në BE dhe zyrtarët e shëndetësisë po nxitohen me vaksinimin para se mutacionet të bëhen dominues. Shefja e komisionit evropian, Ursula von der Leyen, tha se blloku shpejt do të zgjerojë gamën e vaksinave përtej biontech e pfizer dhe modernës, që aktualisht janë autorizuar në bllok, me qëllim që të vaksinohet 70 për qind e të rriturve në BE para shtatorit.
Top Channel