Republikanët në Senatin amerikan të enjten u kërkuan demokratëve të shtyjnë fillimin e gjyqit kundër ish-Presidentit Donald Trump deri në mes të shkurtit, për t’u dhënë kohë avokatëve të tij për të përgatitur një mbrojtje kundër akuzave për nxitje të protestës së dhunshme.
Kjo lëvizje erdhi pasi demokratët më herët gjatë ditës thanë se Dhoma e Përfaqësuesve mund të dërgonte që të premten në Senat akuzat, që u miratuan javën e kaluar në përgjigje të sulmit vdekjeprurës në Kapitol nga mbështetësit e ish-presidentit Trump. Ish-presidenti republikan Donald Trump u largua nga zyra të mërkurën dhe udhëtoi për në vendpushimin e tij në Florida, disa orë para se të betohej demokrati Joe Biden.
Udhëheqësi i pakicës republikane në Senat, Mitch McConnell u kërkoi demokratëve që të prisnin deri më 28 janar për dërgimin e akuzave për t’i dhënë zotit Trump dy javë për të përgatitur mbrojtjen e tij ligjore. Zyra e udhëheqësit të shumicës në Senat, Chuck Schumer nuk iu përgjigj menjëherë një pyetjeje në lidhje me propozimin e senatorit McConnell. Demokratët kontrollojnë Senatin me epërsinë më të ngushtë të mundshme, duke u mbështetur në votën e Nënpresidentes Kamala Harris për të thyer ndarjen në mënyrë të barabartë të votave 50-50, dhe gjithashtu kanë nevojë për bashkëpunimin e republikanëve për të çuar përpara shumë elemente të axhendës së Presidentit Biden, si dhe për të konfirmuar emërimet për Kabinetin e tij.
Zoti Trump është i vetmi president amerikan ndaj të cilit janë ngritur akuza dy herë, dhe gjyqi i tij në Senat do të jetë i vetmi që ka ndodhur ndonjëherë pasi një president është larguar nga detyra. Një burim me njohuri për këtë çështje i tha agjencisë së lajmeve Reuters se Dhoma e Përfaqësuesve mund të dorëzonte akuzën që të premten dhe numri dy i demokratëve në Senat,senatori Dick Durbin tha se ai e priste atë “në një ose dy ditë”. Në gjyqin e parë kundër zotit Trump, Senati filloi procedurat një ditë pasi Dhoma e Përfaqësuesve i dorëzoi akuzat. Por senatorët republikanë thanë se ata kishin diskutuar nevojën për t’i dhënë ish-presidentit Trump kohë për një “proces të drejtë ligjor”, siç tha senatori John Cornyn.
“Nga sa kuptoj nga biseda e sotme, ai (gjyqi) nuk fillon deri diku në mes të shkurtit”, u tha gazetarëve senatori republikan Mike Braun. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve më herët të enjten në lidhje me kohën kur ajo do të dorëzonte akuzën në Senat. Senatori Durbin u tha gazetarëve se ende nuk ishte përcaktuar nëse Senati do të mbante një “gjyq të plotë me prova dhe dëshmitarë” apo një procedurë “të përshpejtuar”. Dhoma e Përfaqësuesve votoi javën e kaluar për ngritjen e akuzave ndaj zotit Trump për nxitjen e sulmit vdekjeprurës të 6 janarit në Kapitol, një përpjekje e dështuar për të penguar certifikimin zyrtar të fitores së zotit Biden nga Kongresi.
Demokratët kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, dhe të mërkurën morën një epërsi të ngushtë në Senat, por të paktën dy të tretat e votave të Senatit me 100 anëtarë janë të nevojshme për të miratuar akuzat kundër zotit Trump. Do të nevojitej një votim i veçantë për ta bllokuar atë të kandidojë përsëri për një post zyrtar. Presidenti Trump ka punësuar avokatin nga Karolina e Jugut, Butch Bowers për ta përfaqësuar atë në gjyqin e Senatit, tha të enjten një burim me dieni mbi këtë çështje. Ndërsa republikanët kanë bërë thirrje për një shtyrje të gjyqit për t’i dhënë zotit Trump kohë për të përgatitur mbrojtjen e tij, disa demokratë gjithashtu do të favorizonin një shtyrje të gjyqit për të vënë në vijë axhendën dhe emërimet e Presidentit Biden.
Senatori Chris Coons tha se demokratët do të ishin të hapur për të konsideruar një shtyrje nëse bëhet përparim në konfirmimin e anëtarëve të Kabinetit të Preisdentit Biden. “Ka dhjetra anëtarë të lartë të administratës që duhet të konfirmohen dhe meritojnë të konfirmohen”, tha senatori Coons për rrjetin CNN. “Nëse vazhdojmë të bëjmë përparim në atë drejtim, atëherë unë mendoj se ky është një hap i mirë. Nëse jo, shpejt do t’i gjeni demokratët e irrituar që do të këmbëngulin në fillimin e gjyqit (në Senat kundër ish-presidentit Trump)”, shtoi ai./VOA
Top Channel