Presidenti Joe Biden ka nënshkruar 10 urdhëra ekzekutivë që kanë si qëllim të intensifikojnë luftën me koronavirusin që ka gjunjëzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vaksinimi do të përshpejtohet dhe testimi do të rritet. Ligje emergjence do të përdoren për të shtuar prodhimin e mjeteve të domosdoshme si maskat. Ndërsa prezantonte planin e tij për koronavirusin, Biden tha se do të duheshin muaj për të mundur pandeminë, por Amerika do ta kalonte këtë nëse njerëzit do të ishin të bashkuar.
‘Pres të punoj me Kongresin pasi jemi në një emergjencë kombëtare. Është koha që ne ta trajtojmë krizën si të tillë. Amerikanët kanë dhënë shumë, por unë besoj se ata janë gati edhe për sakrificën e radhës. Historia do të tregojë nëse ne do të jemi apo jo në lartësinë e duhur e unë besoj se jemi’- tha Biden.
Biden tha se maska duhet të jetë e domosdoshme në udhëtimet mes shteteve ndërkohë që të gjithë pasagjerët e huaj duhet të karantinohen në mbërritjen në SHBA. Biden kritikoi administratën Trump për mënyrën se si e menaxhoi pandeminë por edhe për fushatën e vaksinimit. Sipas tij, 20 për qind të viktimave globale të koronavirusit kanë qenë në SHBA edhe pse vendi ka vetëm 4 për qind të popullatës së globit. Ai edhe parashikoi se me gjasë, numri i viktimave në SHBA do të kapërcejë 500 mijë muajin e ardhshëm dhe se do të duhen muaj që tendenca të ndryshojë.
‘Do të duhen muaj që ne të ndryshojmë situatën. Por dua të jem i qartë, ne do ta kalojmë këtë, do ta mundim këtë pandemi. Ndihma po vjen. Sot, unë po prezantoj një strategji kombëtare për mundjen e kësaj pandemie, të bazuar tek shkenca dhe jo tek politika’- vijoi Biden.
Që në fillim të daljes së tij para gazetarëve, presidenti Biden tha se bashkë me zonjën e parë ishin lutur për mbi 400 mijë viktimat e covidit. Për tu shëruar ne duhet të kujtojmë – tha presidenti.
Top Channel