Pelosi: Po shqyrtojmë dërgimin e akuzës kundër Trump-it në Senat

22/01/2021 03:28

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi tha të enjten se do të konsultohet me ligjvënësit e tjerë demokratë për të kuptuar më shumë se sa gati është Senati për të nisur gjyqin ndaj ish-Presidentit Donald Trump, i cili akuzohet për nxitje të sulmit të dhunshëm ndaj Kapitolit.

“Do të flas me menaxherët (ligjvënësit që janë ngarkuar të paraqesin e mbrojnë akuzën në Senat) për të parë se kur Senati do të jetë gati për gjyqin ndaj ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara lidhur me rolin e tij në nxitjen e trazirave”, u tha zonja Pelosi gazetarëve.

Një burim në dijeni të çështjes tha se zonja Pelosi mund ta dërgojë akuzën në Senat të premten. Zoti Trump humbi garën për t’u rizgjedhur në postin e presidentit më 3 nëntor. Me një votim të Dhomës së Përfaqësuesve javën e kaluar, zoti Trump u bë presidenti i parë në historinë e SHBA-së ndaj të cilit janë ngritur dy herë akuza që synojnë shkarkimin e tij. Ai akuzohet për nxitje të sulmit të 6 janarit në një përpjekje të dështuar për të bllokuar Kongresin që të çertifikonte fitoren e zotit Biden në zgjedhje.

Tashmë i takon Senatit të shpallë ose jo fajtor zotin Trump. Demokratët, të cilët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, kontrollojnë me shumicë të ngushtë edhe Senatin. Një vendim për fajësimin e zotit Trump do të kërkonte votat e dy të tretës së kësaj dhome të Kongresit të përbërë nga 100 anëtarë. Sipas rregullave të Senatit, gjyqi do të fillonte një ditë pasi Dhoma e Përfaqësueve të paraqiste akuzën. Megjithatë mbetet e paqartë, nëse do të kishte ndonjë vonesë, siç kanë lënë të kuptohet disa demokratë, kjo në mënyrë që të mos pengohet axhenda dhe emërimet e Presidentit Biden.

Disa republikanë të Senatit kanë argumentuar se Kongresi nuk duhet të zhvillojë gjyq ndaj një ish-presidenti dhe se kjo gjë do ta përçante më tej vendin. Por zonja Pelosi tha se: “Vetëm sepse ai ka ikur, dhe falënderoj Zotin për këtë, nuk mund t’i thuhet një presidenti: Bëj gjithçka që do në muajin e fundit të administratës, se e ke të garantuar biletën për të dalë nga burgu”. “Nuk mendoj se është bashkuese të thuash, le ta harrojmë e të vazhdojmë më tej. Nuk bashkohesh në këtë mënyrë”, tha ajo./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA