Kinë – Minatorët, të cilët kanë mbetur të bllokuar nëntokë pas një shpërthimi në një galeri të nëndheshme mund të dalin pas dy javëve, thotë ekipi i kërkim-shpëtimit.
Autoritetet njoftojnë se kanë kontakte me 11 prej tyre, ndërsa njëri ka ndërruar jetë. Fati i 11 minatorëve të tjerë mbetet i paqartë pasi nuk kanë arritur të komunikojnë me asnjërin prej tyre, pavarësisht se kanë futur ushqime dhe kanë dërguar mesazhe vazhdimisht, shkruan BBC.
Para disa ditësh, minatorët që u gjetën dërguan në sipërfaqe një letër ku shkruhej: “Mos ndaloni përpjekjet për të na gjetur”, kur grupet e shpëtimit që kërkonin për shenja jete, ulën në thellësi disa racione ushqimi të lidhura në një kabull metali.
Ngjarja ndodhi më 10 janar në minierën e Hushan në lindje të provincës së Shandong ku u dëmtuan daljet dhe sistemet e komunikimit të minierës, e cila ishte ende në ndërtim.
Grupet e shpëtimit kanë disa ditë që kërkojnë shenja për të mbijetuar, derisa më në fund ata ndjenë tërheqje të litarëve që kishin futur në galeri. Mediat vendase thonë se grupet e shpëtimit arritën të vendosnin kontakte me minatorët me anë të një tuneli të ngushtë komunikimi që kanë gërmuar nga sipërfaqja, dhe më vonë dërguan atje ushqim, mjekime letër e lapsa.
Top Channel