“Impeachment-i” i Trump: Gjyqi i Senatit gati të fillojë javën e ardhshme

22/01/2021 16:42

Dhoma e përfaqësuesve do të dërgojë nismën për hetimin e ish presidentit Donald Trump në senat, të hënën.

Kjo është konfirmuar nga vetë lideri i shumicës në senat Chuck Schumer, i cili tha se kryetarja e dhomës, Nancy Pelosi, do ta depozitonte atë të hënën.

Pasi nisma të jetë depozituar, senati do të fillojë hetimin për të përcaktuar nëse Donald Trump duhet të dënohet apo jo për nxitje të rebelimit.

Nëse Trump dënohet, atij mund t’i ndalohet marrja e posteve publike në të ardhmen.

Lideri i pakicës në senat, Mitch McConnell, kishte propozuar shtyrjen e gjykimit deri në shkurt për t’i dhënë Donald Trump më shumë kohë që të përgatiste mbrojtjen e tij.

Më herët gjatë ditës, demokratët patën thënë se dhoma e përfaqësuesve mund të dërgonte që të premten në senat akuzat e miratuara javën e kaluar. Por Schumer konfirmoi se kjo do të ndodhte të hënën.

Ish presidenti republikan, Donald Trump, u largua nga shtëpia e bardhë të mërkurën dhe udhëtoi në vendqëndrimin e tij të ri, në Florida, disa orë para betimit të demokratit Joe Biden.

Tani demokratët kontrollojnë senatin, ndonëse me një epërsi shumë të ngushtë, duke u mbështetur në votën e zv presidentes Kamala Harris, për të thyer ndarjen në mënyrë të barabartë të votave 50-50. Po ashtu, ata kanë edhe nevojë për bashkëpunimin e republikanëve për të çuar përpara shumë elementë të axhendës së presidentit Biden dhe për të konfirmuar emërimet në kabinetin e tij.

Trump është i vetmi president amerikan ndaj të cilit janë ngritur akuza dy herë. Dhe gjykimi i tij në senat do të jetë i vetmi në histori që ndodh pasi një president është larguar nga detyra.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA