Trashëgimtari i Samsung-ut, Lee Jae Yong, u dënua me dy vjet e gjashtë muaj burgim nga një gjykatë e lartë në Korenë e Jugut, për shkak të përfshirjes në vepra korruptive.
Lee, 52 vjeç, është dënuar fillimisht për dhënie të ryshfetit një bashkëpunëtori të ish-presidentes Park Geun-hye dhe është burgosur për pesë vjet në vitin 2017.
Ai e ka mohuar keqbërjen. Dënimi i është zvogëluar dhe pezulluar në apel dhe ai është lënë i lirë pasi ka shërbyer një vit.
Gjykata Supreme më pas e ka kthyer çështjen përsëri në Gjykatën e Lartë të Seulit, e cila e ka nxjerrë vendimin e ri të hënën.
Samsung, prodhuesi më i madh në botë i telefonave të mençur, është konglomerati më i madh i kontrolluar nga një familje, që dominon ekonominë e Koresë së Jugut.
Qarkullimi i përgjithshëm i Samsung-ut arrin në 20 për qind të bruto prodhimit të brendshëm të Koresë së Jugut.
Lee ka qenë në krye të Samsung-ut për disa vite pasi babai i tij është sëmurë si pasojë e një sulmi në zemër. Babai i tij ka vdekur në tetor.
Top Channel