Një zëdhënës i presidentit të zgjedhur, Joe Biden i tha sot karvanit me të paktën 8000 emigrantë nga Honduras drejt SHBA, të ndalojë rrugëtimin e tyre pasi kufijtë nuk do të hapen.
Forcat e sigurisë në Guatemala përdorën dje shkopinj druri e gazlotsjellës duke u përpjekur të ndalonin tufën e emigrantëve, disa ditë para betimit të administratës së re në SHBA.
Karvani i parë me emigrantë nga Amerika Qendrore për këtë vit vjen pasi Biden ka premtuar një qasje me humane ndaj emigracionit sesa Donald Trump.
Administrata në ardhje ka thënë se do të punojë për të sheshuar origjinën e shkaqeve të emigracionit, do të rimendojë procedurat e azilit dhe do të shtojë rrugët e ligjshme të pranimit të emigrantëve.
Zëdhënësi i administratës tha për mediat: “Situata nuk do të ndryshojë brenda natës. Ata duhet të kuptojnë se nuk mund të vijnë menjëherë në SHBA. Ndihma po përgatitet, por nuk është ende koha për të bërë rrugëtimin”.
Zyrtari i paemëruar nuk tha se kur do të mund të hynin në SHBA azil-kërkuesit, por shtoi se ata që presin në kufi do të jenë prioriteti.
“Ne kemi dhënë mesazhin se shpresa po vjen, por aktualisht kjo nuk është e mirë për sigurinë e tyre”.
Një tjetër zyrtar i Biden tha: “Do të nevojitet kohë për të kapërcyer sfidat e politikave kaotike të katër viteve të fundit, dhe ato të COVID-19”.
“Aktualisht rrugëtimi i tillë drejt SHBA, mbetet shumë i rrezikshëm dhe njerëzit nuk duhet të besojnë gënjeshtrat se kufijtë tanë do të jenë të hapur prej muajit që vjen”.
Top Channel