Kompania farmaceutike amerikane Johnson&Johnson po punon për ti sjellë botës një tjetër vaksinë kundër koronavirusit. Provat klinike të fazës së hershme të vaksinës eksperimentale tregojnë se një dozë e vetme gjeneroi përgjigje imune tek thuajse të gjithë vullnetarët, me efekte anësore minimale.
Në fund të këtij muaji, kompania mund të raportojë detaje të tjera të vaksinës dhe shpreson që të aplikojë për autorizim nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave të SHBA.
Studiuesit, të cilët testuan vaksinën në fazën e parë dhe të dytë thonë se është efektive dhe ka gjeneruar antitrupa dhe qelizën T, e cila vepron kundër Covid-19. Provat e para nuk e tregojnë nëse vaksina i mbron njerëzit nga koronavirusi apo shenjat e sëmundjes, por pritet që gjithçka të zbulohet në fazën e tretë.
Një ekip ndërkombëtar studiuesish, të cilët testuan vaksinën në rreth 800 vullnetarë thonë që provat e para tregojnë se ka efikasitet dhe mund të ketë ndikim pozitiv në trupin e njeriut.
Studiuesit në Hollandë, Shtetet e Bashkuara dhe Belgjikë testuan vaksinën tek një grup njerëzish që i përket dy grupmoshave, 65 vjeç e lart dhe 18-55 vjeç.
Vaksinimi nxori antitrupa në 90% të të gjithë pjesëmarrësve deri në ditën e 29-të pas dozës së parë të vaksinës. Nivelet e këtyre antitrupave qëndruan për të paktën 71 ditë, raportuan ata.
FDA u ka dhënë autorizim të përdorimit emergjent dy vaksinave të koronavirusit, njëra e prodhuar nga Pfizer me partnerin e saj BioNTech dhe një tjetër nga Moderna.
Top Channel