Sot është 39-vjetori i vrasjes së vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalles dhe Kadri Zekës nga UBD-ja jugosllave.

Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë më 17 janari të  vitit 1982.

Nga autoritet shtetërore gjermane është lajmëruar se persona të panjohur kanë vrarë tre jugosllavë dhe se ky ishte kulminacion i ri në luftën e fshehtë në të cilën agjentët e sigurimit jugosllav dhe kundërshtarët e pushtetit luftonin mes tyre.

Si ndodhi atentati i trefishtë:

Pas kroatëve, qeveria e Beogradit u ka shpallur luftën të përgjakshme shqiptarëve që vijnë nga Kosova. Atentati ka ndodhur, përderisa drejtuesi i makinës (BMW 316, targa: HN CY 353) po e nxirrte nga garazhi, duke e drejtuar prapthi në drejtim të udhëkryqit. Në mot me borë, diku në 40 metrat e para makina ka ndaluar ndërsa një person nga një distancë prej tre metrave ka qëlluar. Krahas kësaj, një person tjetër ka gjuajtur dhe iu ka afruar për të vërtetuar se ata ia kanë arritur qëllimit.

Fqinjët, të frikësuar nga krismat, i shohin dy burrat duke ikur. Makina ka mbetur e ndezur, pasi Bardhoshit i kishte mbetur këmba në pedalin e gazit. Si pasojë e kësaj, makina ka vazhduar më tutje të eci derisa përplaset me një garazh. Gjatë kësaj kohe, drejtuesi ka vdekur, ndërsa pas përplasjes është fikur motori. Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur të vdekur drejtuesin e makinës, Bardhosh Gërvallën, 31 vjeç, i goditur nga gjashtë plumba, Kadri Zekën i vrarë nga dy goditje me plumba në trup dhe Jusuf Gërvallën, 36 vjeç, gjithashtu i plagosur rëndë nga dy goditje me plumba.

Der Spiegel (25 janar 1982) për motivin e krimit shkruan se identifikimi i shpejtë  i  viktimave e ka sqaruar edhe motivin dhe drejtimin politik të tyre: “Jugosllavë në ekzil që i takonin kombësisë shqiptare nga provinca e Kosovës në jug të shtetit ballkanik, dhe që të tre veprimtarë kundër qeverisjes së Beogradit”. Edhe për autorët e vrasjes pati shënjime. Në vendin e ngjarjes, Jusuf Gërvalla, i cili më vonë vdes, i kishte pëshpëritur policisë “Ka qenë UDB-ja”.

Dymbëdhjetë herë ishte gjuajtur mbi të tre burrat nga pistoletat e kalibrit 7,65, dhjetë goditje kishin qëlluar zemrën, mushkëritë dhe qafën. Një polic në vendin e ngjarjes thotë: “E tëra dukej si pas një ekzekutimi”.

Ishte metodë që përdoret nga shërbimi sekret, siç thoshte snajperisti dhe instruktori i policisë nga Stuttgart-i, Siegfried Hubner: duhet qëlluar me katër plumba, “tre për ta mbërthyer viktimën nëse ajo qëndron ende, pra për ta rrëzuar dhe për ta bërë të paaftë për kundërvënie, dhe pastaj rigjuajtja e katërt e domosdoshme dhe vdekjeprurëse”. Koha dhe atentati ishte kulminacion i grindjeve të shërbimit sekret jugosllav me kundërshtarët e regjimit në botën e jashtme në këto vite.

Ali Ahmeti, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim ka kujtuar 39-vjetori e vrasjes së tyre.

“Jusufi, Bardhoshi e Kadriu u vranë pabesisht 39 vjet më parë, por i dhanë jetë Lëvizjes, i dhanë frymë përpjekjeve për liri dhe për shtet.  Ishte kohë kur çdo vrasje, çdo rënie në rrugën e shenjtë të lirisë na rriste përkushtimin edhe më tepër dhe na shtonte radhët edhe më shumë si dhe çelikoste idealin. Nuk na ndalnin sulmet tinëzare të njëpasnjëshme dhe ia dolëm sepse ishim në rrugë të drejtë, bashkë!  Lavdi jetës dhe veprës së Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit”, shkruan Ali Ahmeti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA