Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës Federale të Gjermanisë i kanë dhuruar Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës pajisje dhe produkte mjekësore me vlerë mbi 2 milionë euro.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka falënderuar shtetin gjerman për këtë ndihmë karshi shëndetësisë kosovare dhe shtoi se Kosova e ka menaxhuar mirë situatën me COVID-19.

Ai deklaroi se ky donacion me produkte medicinale do ndihmojë në luftimin e pandemisë.

“Ky donacion përmban shumë pajisje edhe produkte medicinale, vlera e të cilit përfshinë 2.17 milionë euro, e gjithë kjo është në fokus të luftës kundër pandemisë me COVID-19. E kemi thënë edhe herë të tjera dhe po e përsërisim edhe sot se pa këtë ndihmë dhe pa këtë bashkëpunim të mirëfilltë në mes të institucioneve të Kosovës, të partnerëve tanë, të shtetit të Gjermanisë ne nuk do të mund të menaxhonin situatën dhe sot e themi pa modesti se jemi ndër vendet me menaxhimin më të mirë dhe me situatën më të mirë pandemike në rajon por edhe ndër shtetet në Evropë. Ky virus është ende prezent, është i rrezikshëm dhe po merr jetë. Duke pasur si fakt se edhe shtetet perëndimore po përballen me shtrirjen tinzare të këtij virusi ne po punojmë makisimalisht dhe po vazhdojmë fuqizimin e kapaciteteve spitalore edhe të shërbimeve shëndetësore dhe menaxhimit të situatës pandemike”, tha ai.

Ambasador Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde deklaroi se shteti i tij do të vazhdojë të ndihmojë Kosovën në luftimin e pandemisë. Ai tregoi edhe se çfarë përmban ky donacion duke shtuar se virusi vazhdon të jetë kërcënim për të gjithë.

“Vendet e Evropës po e përjetojnë një valë të dytë të këtij virusi dhe askush nuk është komplet i sigurt nga ai, kështu që solidariteti në këtë situatë është jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse vetëm të bashkuar mund të dalim ta menaxhojmë. Me këtë rast Gjermania është e lumtur që ka mundësi të mbështet me këtë donacion, bëhet fjalë për 100 ventilatorë dhe po ashtu edhe për disa oksimetra dhe të tjera pajisje të cilat do të përdoren në luftimin e pandemisë COVID. […] Ky donacion që e kemi dorëzuar sot është pjesë e një donacioni më të madh i cili është dedikuar për të gjithë Ballkanin Perëndimor për të luftuar pandeminë COVID, dhe në veçanti edhe për të ndihmuar Kosovën, brenda donacionit ka pajisje mbrojtëse, ka pajisje testuese dhe pajisje higjienike”, tha ambasadori gjerman në Kosovë.

Kurse, zyrtarja për emergjenca në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Isme Humolli u shpreh se Kosova është në fazën e fundit të përgatitjeve për vaksinimin kundër COVID-19.

“Ministria e Shëndetësisë është në fazën e fundit të përgatitjes për vaksinim kundër COVID-it e cila bërë një punë jashtëzakonisht të madhe në këtë drejtim në bashkëpunim edhe me partnerët, sidomos me UNICEF e OBSH. Krahas vaksinimit, e cila do të fillojë shumë shpejtë, në Kosovës të respektohen masat”, u shpreh ajo.

Ndërsa, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi tha se donacionet e tilla janë ndihma më e mirë që bëhet për qytetarët e Kosovës.

Ai tha se përmes këtij donacion të pajisjeve mjekësore nga shteti gjerman dhe OBSH Kosova është pajisur me disa pajisje që kanë ardhur për herë të parë në Kosovë.

“Donacioni i radhës përfshinë rreth 200 ventilatorë, 140 ventilatorë janë për herë të parë si pajisje të tilla mjekësore që vijnë në Kosovë që janë aty dhe janë edhe 60 ventilatorë të tjerë kemi pulsoksimetra, material shpenzues si dhe material për servisim të pajisjeve mjekësore. Vlera totale është rreth 2.2 milionë nga Qeveria gjermane dhe rreth 300 mijë euro nga OBSH dhe që në total është 2.5 milionë euro. Me këto pajisje i bëni qytetarët e Kosovës më të sigurtë dhe punëtorët shëndetësorë ndihen shumë më të sigurtë në punën tyre dhe kompetencën që do ta ofrojnë përpara pacientëve në nevojë“, theksoi ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA