Banorët e Beratit,Bogovës,Poliçanit dhe Kuçovës pa ujë të pijshëm që prej mëngjesit të sotëm. Inxhinierët janë duke punuar për riparimin e defektit.
Moti i keq dhe reshjet e pandërprera të shiut,kanë bërë që masive dheu të bien dhe të dëmtojnë tubacionin kryesor të ujësjellësit të Bogovës.
Ky tubacion furnizon me ujin e pijshëm banorët e 3 qyteteve: Berat,Poliçan dhe Kuçovë. Sipas informacioneve nga bashkitë përkatëse mësohet se tubacioni kryesor i këtij ujësjellësi është dëmtuar në disa segmente të tij.
Në zonën ku edhe është dëmtuar tubacioni,në fshatin Kakruk,kanë shkuar punonjësit e ndërmarrjes së sh.a.Ujësjellës-Kanalizimeve Berat,që janë duke punuar për riparimin e defektit që ka lënë pa ujë 3 qytete.
E ndërsa punonjësit e kësaj drejtorie janë duke punuar pa ndërprerje për të riparuar tubacionin e çarë,në fshatin Plirëz të Poliçanit një tjetër çarje ka ndodhur në tubacionin e ujit të pijshëm,si pasojë e shkarjeve të dheut në këtë zonë. Pozicioni në të cilit ndodhet tubacioni i Bogovës e bën atë gjithmonë të riskuar nga çarjet dhe dëmtimet pasi reshjet shkarkojnë mbi të masive dheu.
Burimet zyrtare pranë sh.a.Ujësjellës-Kanalizime Berat bëjnë me dije se,puna nuk do të ndërpritet deri në riparimin e tubacionit,edhe pse reshjet e dendura të shiut e vështirësojnë edhe më tepër punën e inxhinierëve.
Ujësjellës i Bogovës është ndërtuar 30-vite më parë dhe shtrihet përgjatë rrëzës së kodrave të zonës së Skraparit,ku terreni është tepër i vështirë. Gjatë stinës së dimrit,rrëshqitjet e masivëve të dheut e shkëmbinjve kanë sjellë çdo vit dëmtime serioze në tubacionin kryesor të ujit të pijshëm.
Top Channel