Fiskalizimi ka nisur tashmë zbatimin për subjektet që kanë marrëdhënie me shtetin, ku mbi ecurinë e tij do të varet edhe implementimi i dy fazave të tjera,biznes me biznes dhe biznes konsumator.
Paqartësitë e mëdha dhe kostot e shtuara për biznesin kanë ngjallur debate që në lanccimin e nismës së qeverisë.
Për ish-zv.ministrin e Financave Elton Haxhi, kostot e fiskalizimit janë afërsisht të njëjta me ato aktuale të kasave fiskale dhe arrijnë mesatarisht 150 euro në vit.
“Do ketë nevojë për përmirësimet e veta dhe ka probleme tani që flasim me transaksionet biznes me qeveri që po rregullohet. Cmimet e ofrimit të softuerëve të fiskalizimit variojnë nga 70 euro në vit deri në 150 euro në vit dhe kjo është kostoja e mirëmbajtjes.
Pjesa tjetër lidhet me kosto indirekte jo direkt eme fiskalizimi. Mesatarisht shkon 150 euro në vit. Asnjë lek më tepër. Nëse biznesit i duhet një PC s’kemi pse ia faturojmë fiskalizimit. Jemi pak a shumë në vazhdimësinë e kostove që kishim në kasat fiskale, por është shtuar kosto e certifikatës elektronike dhe kostot e internetit që janë të përdorshme edhe për arsye të tjera.”
Por, teksa ish-zv ministri Haxhi flet për kosto minimale, sipërmarrja duket e shqetësuar mbi atë që duhet të paguajë për fiskalizimin. Top Channel u ndal te një biznes në kryeqytet për të pasqyruar situatën dhe për ta kostot janë të papërballueshme.
“Më lajmëroi ekonomisti për këtë. Nuk e di si do e përballojmë këtë sepse kjo ishte një kosto tjetër për ne. Përveç kompjuterit, duhet të marrim në punë edhe një punëtor tjetër që të bëjë lëshimin e faturës. Gjë që unë nuk e bëj dot, unë jam në shërbim. Ekonomisti tha se duhet të përgatitemi për kosto shtesë.
Pastaj ne jemi dy turne në pune. Do të duhet të paguaj dy persona për të bërë faturimin sepse nuk lë dot punën. Çfarë do bëj? Do heq një parukier dhe do marr dikë tjetër për të vetëm për këtë. Unë nuk kam mundësi të marr dikë e ta paguaj.”
Me herët drejtoresha e Tatimeve Delian Ibrahimaj ka deklaruar se kostot e fiskalizimit nuk kapërcejnë 200 euro në vit, ndërsa një ndër kompanitë e certifikuara të pyetura nga Top Channel flet për kosto që mund të arrijnë në 95 mijë lekë për subjekt.
Top Channel