Përmbytet një shtëpi në Kurbin/ Evakuohen banorët e zonës, situata është e rënduar

08/01/2021 12:42

Situata në Lezhë, për shkak të reshjeve të shumta të shiut është e rënduar.

Mësohet se në Kurbin, saktësisht në Fushë Gjorm, banesa e shtetasit Baftjar Reçi është përmbytur. Për shkak të rritjes së nivelit të ujit dhe depërtimit të tij në shtëpi, banorët e zonës janë evakuuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin.

Lumi Drin në disa zona rrezikon të dalë nga shtrati. 970 ha tokë janë nën ujë në Lezhë dhe në Kurbin. Zona më problematike paraqitet ajo e Zadrimës. Në të njëjtën kohë edhe prurjet e shumta të lumit Vjosa gjatë natës kanë bërë që në orët e para të mëngjesit të së premtes të dali nga shtrati lumi Vjosa dhe të përmbysë pazarin e kafshëve poshtë urës së Mifolit.

Sipas kreut të Njësisë Administrative Novoselë, Kanan Shakaj, niveli i lumit deri në këto momente është 6.6 m mbi nivelin e detit, dhe prurjet vazhdojnë.

Në një deklaratë për Top Channel, nënkryetari i bashkisë Lezhë Ermal Paci tha se rrezikohet të çahet argjinatura e kanalit të ujërave të larta në fshatin Kallmet të lezhës. Ndërsa është bllokuar rruga që lidh fshatin Kallmet me autostradën.

“Është e rënduar por s’kemi dëme në njerëz apo materiale. Në fushën e Zadrimës konkretisht në njësinë Dajc kemi probleme, edhe në Kallmet po ashtu, edhe në argjinaturën përbri kanalit kryesor ku po bëhet ndërhyrja. Po ashtu autostrada është e bllokuar për shkak të fryrjes së kanalit kryeso,  por nuk rrezikon jetën e banorëve dhe as dëme materiale”, u shpreh Paci.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA