Pas ngritjes së Gjykatës Kushtetuese, shtatë gjyqtarët u mblodhën sot që prej orës 10 të mëngjesit, ku vendosën nisjen e procedurave për zgjedhjen e kryetarit të ri.
Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese ranë dakord që duhet të nisë procesi për hartimin e rregullores. Deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, në krye qëndron Vitore Tusha.
Ashtu siç Top Channel ka raportuar më herët janë 25 çështje të bëra gati, që do të shqyrtohen nga 7 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Më e rëndësishmja e të cilave është padia e shoqatës së bashkive, që kërkojnë shpalljen si antikushtetuese të zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, të cilat në atë kohë u kthyen në një front grindjesh politike.
Gjyqtarët kushtetues do të testohen edhe me ankesa si ajo e kryeministrit kundër presidentit Ilir Meta, i cili pasi refuzoi të dekretonte Gent Cakajn si ministër të Jashtëm, u padit në Gjykatën Kushtetuese nga kreu i qeverisë, që kërkon zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave dhe interpretim të nenit 1 të Kushtetutës. Dosje të nxehta e presin Kushtetuesen edhe për dy padi të presidentit Meta me emrin Teatri Kombëtar.
Në njërën prej tyre kërkohet shpallja e papajtueshme e projektit urban të godinës së re të Teatrit Kombëtar dhe në tjetrën kundërshtohet një vendim i 8 majit 2020, në të cilën Teatri Kombëtar i kaloi bashkisë dhe tjetra gjithashtu, edhe çështja e pronave, sipas padisë së shoqatës kombëtare “Pronësi dhe Drejtësi”.
Që nga viti 1992 kur dhe u krijua, në Gjykatën Kushtetuese janë trajtuar parime të rëndësishme duke nisur nga shpallja si antikushtetues të ligjit për dënimin me vdekje, ligji i lustracionit, deti , vettingu e kthimi dhe kompensimi i pronave. Veç dosjeve që e presin , ku kërkohet garantimi i të drejtave të qytetarëve, për Gjykatën e re Kushteuese ka dhe një provim tjetër ndaj palëve, qofshin politike ose jo. Ligji kërkon nëntë gjyqtarë kushtetues, tre prej të cilëve duhet të vijnë nga Gjykata e Lartë, që ende nuk e ka numrin e duhur për të thirrur mbledhjen e përgjithshme dhe kjo do të thotë se dikush duhet të shpejtojë ritmin për të krijuar numrat e duhur për në Gjykatën Supreme.
Top Channel