Gjirokastër/ Rikthehet rreziku i rrëshqitjes tek pallati në lagjen “Punëtori”, pas reshjeve rruga çahet me 10 cm…

07/01/2021 18:22

Gjirokastër- Rikthehet problemi i rrëshqitjes së dherave pranë një pallati në lagjen “Punëtori” të qytetit të Gjirokastrës.

Banorët kanë njoftuar se këtë herë situata nuk është shoqëruar me rrëshqitje të dheut, por në rrugën anësore krah pallatit, pas reshjeve të rrëmbyeshme u vu re një zgjerim i çarjes së mëparshme me të paktën 10 cm.

Në kodrën ku është vendosur ky pallat, pikërisht 3 vjet më parë, në Janar u regjistrua një rrëshqitje masive e dheu që vuri në rrezik jetën e banorëve. Në atë kohë godina u shpall e pabanueshme dhe ju kërkua banorëve të gjenin zgjidhje alternative por për asnjë prej 15 familjeve nuk u dha zgjidhje.

E vetmja ndërhyrje që prej asaj periudhe ka qenë një zgarë hekuri që devijon ujërat e përrenjve që vijnë nga pjesa e sipërme e qytetit por që nuk zgjidh problemin e themeleve të objektit 5-katësh.

Banorët thonë se kanë kërkuar një vlerësim emergjent për situatën ndërsa ju është rikthyer pasiguria. Një vilë dykatëshe e vendosur pranë pallatit është gjithashtu në rrafshin e rrëshqitjes. Muri rrethues i saj është rrëzuar dhe çarë në një gjatësi rreth 4 metra.

Prefekti i qarkut dhe ekipet e emergjencës kanë monitoruar situatën ndërsa pritet që nesër të merret një vendim për situatën e nivelit të rrezikut dhe vlerësimin e nevojës për evakuim të banorëve.

Prej ditësh, në vend kanë nisur reshje të dendura të shiut, ndërsa  së fundmi IGJEUM ka paralajmëruar përmbytje. Sipas llogaritjeve të IGJEUM, përgjatë datave (6 -11 Janar 2021) priten reshje shumë intensive dhe në zonën e kuqe ku rrezikohen përmbytje është futur edhe Gjirokastra.

Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM, këto reshje do të sjellin rritje të rrezikshme të prurjeve në lumenjtë e mëdhenj dhe të mesëm Drin-Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA