Pacientët e kujdesit intensiv vdesin pas avarisë së oksigjenit në spitalin egjiptian/ Video, mediat

06/01/2021 20:53

Sipas raportimeve të mediave rajonale, “të gjithë” pacientët e e repartit të kujdesit intensiv kishin vdekur në një spital në Egjipt nga dështimi i sistemit të furnizimit me oksigjen.

Në videon amatore me të cilën rrjeti Middle East Monitor dhe të tjera media botërore ilustronin lajmin, shihej që niveli i furnizimit me oksigjen bie në 2% në spitalin El Husseineya në provincën Ash Sharqia.

Video e regjistruar nga dikush që pretendon se është i afërm i pacientëve tregon pamje të rënda të avarisë në spitalin në verilindje të vendit.

“Të gjithë kanë vdekur”, thotë në arabisht zëri prapa kameras. “Vetëm infermierët kanë mbetur. Zoti na mjafton”, shton ai.

Nuk ka konfirmime zyrtare për ngjarjen nga autoritetet egjiptiane.

Në video shihen një numër pacientësh në dukje të palëvizur dhe disa infermiere mundohen të kujdesen për ta.

Kameramani thotë se halla e tij Fatima Al-Sayed Mohamed Ibrahim, 66 vjeçare është mes pacientëve.

Mediat vendase thonin se burri që xhiroi pamjet është arrestuar për shpërndarjen e tyre.

Ky është incidenti i dytë i këtij lloji në Egjipt pas një zhvillimi të ngjashëm në spitalin Zefta në provincën Gharbia disa javë më parë.

Shumë njerëz kanë akuzuar qeverinë për korrupsion e neglizhencë, pasi drejtori i spitalit El Husseineya, Dr Muhammad Sami Al-Najjar tha se pamjet e shfaqura ishin diçka normale.

Ministri egjiptian i shëndetësisë Hala Zayed, tha se pacientët nuk kanë vdekur nga mungesa e oksigjenit dhe se pamjet janë propagandë e përhapur nga grupi i jashtëligjshëm opozitar Vllazëria Muslimane.

Guvernatori i rajonit Ash Sharqia, Dr Mamdouh Gorab, është cituar të ketë thënë se vetëm katër pacientë vdiqën dhe jo të gjithë në repart.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA