Uashingtoni përgatitet për inaugurimin virtual të presidentit

05/01/2021 05:25

Inaugurimi i Presidentit të zgjedhur Joe Biden më 20 janar do të përfshijë një “paradë virtuale në të gjithë Amerikën” në përputhje me kufizimet e koronavirusit, njoftuan organizatorët.

Pas ceremonisë së betimit në pjesën perëndimore të Kapitolit në Uashington, zoti Biden dhe bashkëshortja, Jill Biden, bashkë me Zëvendës Presidenten e zgjedhur Kamala Harris dhe bashkëshortin, Doug Emhoff, do të marrin pjesë në një ceremoni ushtarake, siç e kërkon tradita, ku presidenti inspekton gatishmërinë e trupave.

Gjithashtu, sipas traditës, zoti Biden do të shoqërohet nga përfaqësues të të gjitha armëve të ushtrisë në një segment rruge deri në Shtëpinë e Bardhë. Sipas komitetit për Inaugurimin e Presidentit, në të gjitha këto ceremoni do të zbatohet distancimi fizik. Qëllimi, sipas komitetit, është që “popullit amerikan dhe botës t’i jepen imazhet historike të presidentit të zgjedhur që shkon në Shtëpinë e Bardhë pa praninë e turmave të mëdha”.

Ditët e fundit punëtorët filluan të çmontonin një stendë parade para Shtëpisë së Bardhë, ndërsa ekipi i tranzicionit i zotit Biden vazhdon të përgatitet për ceremoni që do të jenë kryesisht virtuale.

Organizatorët thanë se parada virtuale që do të organizohet në të gjithë vendin do të shërbejë për të “nderuar heronjtë e Amerikës si dhe për të pasqyruar amerikanët e të gjitha sferave të jetës në shtete dhe rajone të ndryshme.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA