Një vit nga tërmeti i 26 nëntorit, shumica e familjeve të prekura nga fatkeqësia natyrore në Baldushk janë strehuar në shtëpitë e reja, të rindërtuara. Hekuran Balla, Shyqeri Shabani dhe Alfred Tresa nga fshatin Balshaban morën çelësat e banesave të reja nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj
“Tërmeti na rrëzoi vërtet, një pjesë e Shqipërisë u shkatërrua, një pjesë e zemrave tona u thye, por pyetja është: do rrimë në gjumë, apo do ngrihemi në këmbë? U ngritëm në këmbë! Fakti që krijuam një aleancë shumë të madhe me Qeverinë, me Parlamentin, me njësitë administrative, me bashkitë, inxhinierët, kompanitë, për rindërtimin, është mbresëlënës”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se, edhe në Baldushk do të rindërtohet një lagje e re për familjet që humbën shtëpitë nga tërmeti. Ndërsa, për ata që nuk duan të transferohen në lagjet qendërzuara, të cilat po ngrihen edhe në njësitë Ndroq, Vaqarr, Pezë e Zallher, Veliaj tha se janë miratuar pagesat “cash” të rindërtimit.
“Kemi miratuar një listë me 450 familje, të cilat mund t’i marrin paratë “cash” – nëse janë në një zonë periferike dhe thonë ‘kam punuar në ndërtim në Greqi, Itali apo në Shqipëri, dhe mund ta bëj vetë shtëpinë’, paratë i japim ne dhe ata mund ta ndërtojnë menjëherë vetë. Lajmi shumë i mirë është se edhe në Baldushk po bëjmë një lagje m’u në qendër të njësisë, pranë rrugës kombëtare, afër spitalit, kopshtit dhe shkollës. Familjet kanë mundësinë e shkëlqyer të marrin shërbimin, pa e humbur pronën e tyre. Ndaj, i ftoj këta qytetarë që, nëse shohin emrin në listë, të vetëofrohen dhe të vendosin nëse do t’i marrin paratë “cash” dhe ta ndërtojnë vetë shtëpinë e tyre, apo nëse duan të marrin një shtëpi në lagjet e reja që po krijojmë në Baldushk, në Ndroq, në Vaqarr, në Pezë dhe në Zallher”, tha kryebashkiaku.
Top Channel