Fati i qeverisë italiane është në fije të perit këtë javë në mesin e një përballjeje mes kryeministrit Giuseppe Conte dhe aleatit të tij në koalicion, dhe ish-kryeministrit Matteo Renzi.
Ky i fundit ka kërcënuar se do të tërheqë partinë e tij të vogël Italia Viva nga shumica qeverisëse nëse qeveria ndryshon drejtim për sa i takon përpjekjeve për të rikthyer në jetë ekonominë e brishtë të Italisë. Renzi i ka kërkuar Contes edhe që të heqë dorë nga kontrolli mbi shërbimet sekrete dhe që qeveria të përshpejtojë shpërndarjen e vaksinave anti-covid.
Conte deri më tani i ka rezistuar presionit duke thënë javën e kaluar se ishte i gatshëm të përballej me Renzin në parlament. Sidoqoftë, Conte po organizon një takim mes liderëve të partive për të diskutuar për një rifreskim të qeverisë. Dita kyçe është 7 janari kur Conte do të kërkojë mbështetje nga ministrat për planin e rimëkëmbjes që mund të çojë partinë e Renzit të dalë nga koalicioni dhe të shkaktojë një krizë qeveritare.
Renzi ka qenë kryeministër nga viti 2014 deri në 2016, De Fakto orkestroi koalicionin e udhëhequr nga Conte të partisë Demokratike të Qendrës së Majtë dhe Lëvizjes Pesë Yjet, pas shembjes së qeverisë së mëparshme mes Lëvizjes 5 Yjet dhe Ligës së Veriut të Mateo Salvinit në gusht 2019.
Renzi asokohe la Partinë Demokratike dhe krijoi Italia Viva, që ka dy ministra në qeveri dhe rreth 3 për qind të votave në publik. Ai tha të hënën se ministrat e tij nuk ishin pjesë e qeverisë për përfitime, por sepse kanë ide. Nëse këto ide nuk do të pëlqehen, atëherë ata do të lënë postet që mbajnë.
Top Channel