Urdhri i cili u ka vajtur të gjitha agjencive të udhëtimit është ai i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në bazë të ë cilit , autobuzët duhet të marrin 70% të kapacitetit të shënuar në lejen e qarkullimit, distanca duhet të jetë 1m dhe të jenë të vendosur në mënyrë diagonale.
Në redaksinë e emisionit Fiks Fare kanë mbërritur telefonata të shumta ku qytetarët ndihen të frikësuar,në panik dhe të pasigurt për shkak se transporti i udhëtarëve me autobuz nga Kapshtica në Tiranë bëhet jashtë çdo rregulli të përcaktuar në udhëzimet e nxjerra nga Komiteti i Ekspertëve dhe Ministria e Shëndetësisë për periudhën e pandemisë Sars Cov 2.Për ta parë dhe vërtetuar nga afër këtë situatë alarmante të krijuar së fundmi në pikën doganore të Kapshticës, Fiks Fare dërgoi një nga bashkëpunëtorët e tij. Ai udhëtoi me pasagjer të ardhur nga Athina deri në Cërravë të Pogradecit.
Nga Athina bashkëpunëtori i Fiksit tregon se kanë ardhur me tjetër mjet dhe transporti është kryer sipas rregullave . Pasagjerët qëndronin një në sedilje duke respektuar masat për covid 19. Por sa kalon kufirin ndryshon situata. Nga Kapshtica për në Tiranë autobuzi është i mbushur plot me udhëtarë pa respektuar asnjë kriter.
Gjë të cilën e konfirmon edhe shoferi i autobuzit apo fatorino. Gazetarët e Fiksit shkojnë tek agjencia e udhëtimit për të pyetur se pse ndodh kjo gjë dhe nesë ndodh apo jo në të gjitha linjat që operon agjencia. Punonjësja e kësaj agjencie për të shmangur përgjegjësitë e kompanisë ia faturon si gabim shoferit dhe fatorinos, pasi rregullat agjencia i zbaton duke nisur që nga plotësimi 75 përqind i vendeve.
Ajo nuk e mohon se ka dhe raste që autobuzët janë me numër pasagjerësh më të lartë se norma e lejuar për shkak të pandemisë, por kjo sipas saj ndodh pasi pasagjerët me një autobuz vijnë nga Athina e më pas në një autobuz vazhdojnë edhe rrugëtimin drejt Tiranës.
Ndërkohë që nuk ndodh kështu. Nga Greqia udhëtarët vijnë të ndarë me dy autobuza dhe në Shqipëri hyjnë të gjithë sëbashku vetëm në një autobuz, duke shkelur në mënyrë flagrante udhëzimet kundër covid 19. Sipas pasagjerëve kjo situatë ka kohë që është e tillë, pra që agjencitë e udhëtimit operojnë në këtë mënyrë, por sipas punonjëses kjo më nuk është problem pasi të gjithë kur udhëtojnë kanë përgjigjen e tamponit. Pra sipas saj të gjithë që udhëtojnë kanë bërë testin 24 orët e fundit dhe me përgjigjen negative ata mund të udhëtojnë. Por këto agjenci nuk marrin parasysh nëse kjo fletë analize (tamponi) është apo jo e falsifikuar, duke anashkaluar kështu edhe mundësinë e infektimit të pasagjerëve në orët në vazhdim pasi kanë bërë tamponin.
Top Channel