Me afatet të cilat po ngushtohen, Komisioni Qendror i  Zgjedhjeve po punon për krijimin e regjistrit të diasporës për zgjedhjet e 25 Prillit.

Identifikimi i adresës së shtetasve shqiptarë, të cilët jetojnë jashtë territorit së Shqipërisë, sipas variantit zyrtar të KQZ-së do realizohet nëpërmjet vetë deklarimit on-line. Për këtë qëllim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, bëri publike dy modele  për krijimin e listës  së zgjedhësve që  votojnë nga jashtë vendit.

Opsioni i parë parashikon regjistrimin përmes portalit e-Albania, ku emigrantët  deklarojnë të dhënat personale, bashkë me numrin e identifikimit dhe adresën e vendbanimit të përhershëm. KQZ në bazë të dhënave të regjistrit kombëtar te gjendjes civile evidenton shtetasit, të cilët e  kryen regjistrimin, ndërkohë  pas kësaj procedure, emigranti që ka deklaruar adresën dërgon kërkesën për të votuar nga jashtë, nëpërmjet shërbimit online të KQZ-së.

Varianti i dytë parashikon që pranë KQZ-së të ngrihet një sistem i posaçëm për regjistrimin dhe administrimin e kërkesave nga shtetasit shqiptarë me vendbanim të përhershëm jashtë vendit.  Ky sistem do  t’u kërkojë  emigrantëve të dhënat identifikuese, si pasaporta apo karta e ID-së. Në mënyrë opsionale mund të kërkohen edhe të dhëna që provojnë se ai është në emigracion,  si leja e qëndrimit  apo  kontrata e punësimit.  Edhe kjo mënyrë parashikon detyrimin për regjistrimin e vendbanimit pranë Drejtorisë së Gjendjes Civile.

Të dyja variantet e propozuara për krijimin e listës së votuesve nga jashtë vendit parashikojnë që të gjitha procedurat të mbyllen brenda mesit të muajit mars. Regjistrimi i adresës së vendbanimit të përhershëm në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe kërkesa pranë KQZ-së për pajisjen me dokumentacion janë dy kusht, pa të cilat emigrantët nuk mund të bëhen pjesë e zgjedhjeve të 25 prillit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA