Të dhjetë ish-sekretarët e Mbrojtjes që janë gjallë kanë dalë publikisht me një deklaratë kundër përfshirjes së ushtrisë në përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve. Përmes një letre të fortë, ish-zyrtarët e lartë të administratave të mëparshme si demokrate, ashtu edhe republikane, i bëjnë thirrje udhëheqjes aktuale të Pentagonit t’u rezistojë përpjekjeve që mund të çojnë “në një drejtim të rrezikshëm, të paligjshëm dhe anti-kushtetues”.
Dhjetë ish-sekretarë amerikanë të mbrojtjes thanë të dielën në një artikull opinion të botuar në gazetën Washington Post se ushtria nuk duhet të luajë rol në përpjekjet e Presidentit Trump për të bllokuar transferimin e pushtetit tek Presidenti i Zgjedhur, Joe Biden.
Ky grup që përfshin ish-sekretarin e Mbrojtjes Mark Esper, i cili u shkarkua muaj më parë nga Presidenti Trump, si dhe pararendësin e tij, James Mattis, thanë se ka ardhur koha që presidenti të pranojë se i humbi zgjedhjet dhe se zoti Biden do të marrë drejtimin e vendit më 20 janar.
“Zgjedhjet u bënë. Rinumërimi dhe rishikimi kanë përfunduar. Sfidat ligjore janë shqyrtuar nga gjykatat. Guvernatorët kanë certifikuar rezultatet. Kolegji elektoral ka votuar. Ka mbaruar koha për të ngritur pikëpyetje për rezultatin,” thuhej në artikullin e tyre opinion.
Grupi përfshin edhe ish-nënpresidentin Dick Cheney dhe ish-sekretarin e mbrojtjes Donald Rumsfeld.
Ish-zyrtarët e lartë i kërkojnë shefit në detyrë të Pentagonit, Christopher Miller, të mos luajë rol në përpjekjet e presidentit për të mbajtur pushtetin dhe të ndihmojë administratën e ardhshme demokrate në këtë tranzicion.
“Përpjekjet për të përfshirë forcat e armatosura për të zgjidhur sfidat ndaj zgjedhjeve do të na çonin në një drejtim të rrezikshëm, të paligjshëm dhe anti-kushtetues. Zyrtarët civilë e ushtarakë që drejtojnë dhe zbatojnë një përpjekje të tillë do të japin llogari, përfshirë para akuzash penale” thuhej në artikull.
Artikulli mban emrat e ish-zyrtarëve republikanë e demokratë, ndër to edhe Ashton Carter, William Cohen, Robert Gates, Chuck Hagel, Leon Panetta dhe William Perry.
Presidenti i zgjedhur Biden tha në mes të dhjetorit se disa zyrtarë të Pentagonit kishin refuzuar t’i ofronin ekipit të tranzicionit informacionin e nevojshëm. Sekretari i Mbrojtjes në detyrë ka hedhur poshtë komentet për probleme në informimin e ekipit të presidentit të ardhshëm.
Dhjetë ish-zyrtarët theksuan rëndësinë e një tranzicioni të rregullt të pushtetit, si masë për të garantuar ndër të tjera mbarëvajtjen e angazhimeve ushtarake që vazhdojnë Shtetet e Bashkuara jashtë vendit.
Top Channel