Në ditën e fundit të vitit/ Manastirliu me ekipin mjekësor të spitalit “Shefqet Ndroqi”: Mirënjohje për sakrificën tuaj

31/12/2020 15:50

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në orët e fundit të vitit ka takuar ekipin mjekësor të spitalit Covid2 “Shefqet Ndroqi”, duke u shprehur mirënjohjen për sakrificën dhe profesionalizmin në një vit të vështirë si ky që mbyllet sot.

“Bashkë me urimet për një vit të mbarë, t’u transmetoja gjithë falënderimet, respektin dhe mirënjohjen për punën, sakrificën, profesionalizmin edhe çdo gjë që ju keni dhënë në këtë kohë shumë të vështirë, në këtë vit të vështirë”, tha Manastirliu.

Duke uruar gjithë ekipet mjekësore, Manastirliu tha se ato do të jenë në gatishmëri për të shërbyer në këtë natë.

“E di që sot nuk do të jetë e mundur që të festoni pranë familjeve tuaja, sepse do të jeni duke shërbyer për pacientët këtu. Ashtu sikurse gjithë personeli ynë shëndetësor që do të jetë në shërbim këtë natë”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë uroi nga spitali “Shefqet Ndroqi” pacientët që në këtë natë të ndërrimit të viteve nuk do të kenë mundësi të jenë pranë familjeve të tyre.

“Një urim për të gjithë ata pacientë që nuk do të mund të festojnë me familjen e tyre sonte. Me zemër të gjithë do të jemi së bashku, duke uruar më të mirën për vitin që ne na pret”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA