Ndërsa një heshtje e diktuar nga pandemia ka mbuluar atë që normalisht është një periudhë koncertesh dhe ballosh në kryeqytetin austriak, Vjenë, koncerti i tij i famshëm i vitit të ri do të mbehet, edhe pse në një holl të zbrazët.
Sallat e koncerteve në qytet ishin ndër të parat që u rihapën në qershor, pas izolimeve të valës së parë, ndërsa Vjena përpiqej të shpëtonte reputacionin e saj si një nga qendrat më të famshme të muzikës klasike në botë.
Por ndërsa virusi u rikthye kërcënueshëm në vjeshtë, kufizime të reja pasuan dhe sallat u mbyllën përsëri në nëntor, në një qytet që normalisht sheh rreth 15 mijë koncerte dhe evente muzikore në vit. Por, një prej tyre do të mbahet edhe këtë vit, pa dyshim e ngarkuar me më shumë simbolikë.
I pari nga koncertet prestigjoze të Vjenës, u mbajt në një moment akoma më të errët në historinë austriake, në mbrëmjen e vitit të ri 1939. Që atëherë, koncerti është mbajtur çdo vit duke u transmetuar në më shumë se 90 shtete të botës, i ndjekur nga më shumë se 50 milionë njerëz. Normalisht, pak fatlumë që mund ta ndjekin personalisht koncertin e Vjenës, përzgjidhen në një lotari.
Por këtë vit, muzikantët, nën udhëheqjen e italianit Riccardo Muti, do të performojnë në një sallë bosh. Transmetuesi publik austriak do ta përcjellë atë tek publiku. Muzika klasike, është për Austrinë, si futbolli për Anglinë ndaj edhe koncerti i Vjenës, nuk mund të mungojë.
Top Channel