Autoritetet kineze miratuan me kusht përdorimin e një vaksine kundër koronavirusit, të zhvilluar nga prodhuesi shtetëror i ilaçeve, Sinopharm.
Kjo vjen një ditë pasi kompania ka thënë se të dhënat e deritashme tregojnë se vaksina është 79% efektive.
Disa vaksina kineze, që janë në fazën e fundit të testimit, janë tashmë në përdorim në Kinë, pasi u janë dhënë licencat urgjente.
Koronavirusi është shfaqur për herë të parë në qytetin qendror kinez, Vuhan, në dhjetor të vitit 2019.
Që atëherë, sëmundja COVID-19 që e shkakton koronavirusi, është përhapur në të gjithë botën, por Kina ka arritur t’i ulë nivelet e infektimit përmes masave të rrepta anti-virus.
Kërkimi për burimin e koronavirusit ka çuar në tensione midis Kinës dhe Perëndimit.
SHBA-ja dhe vende të tjera kanë ngritur pyetje nëse Kina ka qenë plotësisht transparente kur virusi është shfaqur për herë të parë atje.
Në të gjithë botën, koronavirusi ka prekur mbi 82 milionë njerëz.
Prej tyre, mbi 1.8 milion pacientë kanë vdekur dhe mbi 46 milionë janë shëruar.
SHBA-ja është vendi më i prekur në botë, me mbi 19.7 milionë të infektuar dhe mbi 342,000 viktima.
Top Channel