Varianti i ri i koronavirusit i cili transmetohet me shpejtësi, që fillimisht u zbulua në Britani, është gjetur edhe në Kaliforni, tha Guvernatori Gavin Newsom të mërkurën, një ditë pasi u dokumentua në shtetin Kolorado rasti i parë i njohur në Shtetet e Bashkuara.
Zoti Newsom njoftoi rastin e parë të zbuluar në shtetin e tij si varianti B.1.1.7 , i cili u identifikua në Kaliforninë e Jugut. Guvernatori bëri të ditur lajmin gjatë një bashkëbisedimi në internet për pandeminë me ekspertin kryesor të sëmundjeve infektive Dr. Anthony Fauci. Zoti Newsom nuk dha detaje të mëtejshme, por zoti Fauci tha se “nuk ishte befasuar” duke shtuar se ka gjasa që raste të tjera të variantit të ri të koronavirusit të shfaqen në Kaliforni dhe shtete të tjera.
Rasti i parë në Shtetet e Bashkuara i të ashtuquajturit varianti britanik, për të cilin shkencëtarët besojnë se është më ngjitës se sa të tjerët por jo me simptoma më të rënda, u njoftua nga Guvernatori i Kolorados Jared Polis të martën. Gjatë një konference shtypi të mërkurën, zoti Polis tha se pacienti ishte pjesëtar i Gardës Kombtare në të 20-tat i cili ishte ngarkuar të merrej me shpërthimin e koronavirusit në një shtëpi për të moshuarit në zonën periferike Elbert jashtë qendrës metropolitane të Denverit.
Drejtori i Departamentit të Shendit Publik dhe Mjedisit në Kolorado tha për shtypin se një pjesëtar tjetër i Gardës Kombëtare mund të jetë infektuar me variantin britanik të virusit, megjithëse rezultati i analizave laboratorike ende nuk kishte dalur. Varianti i ri i koronavirusit është zbuluar në disa vende evropiane, Kanada, Australi, Indi, Korenë e Jugut dhe Japoni si dhe vende të tjera. Megjithëse ekspertët besojnë se vaksinat e sapomiratura kundër koronavirusit do të jenë efektive kundër variantit britanik, shfaqja e variantit më ngjitës të virusit mund ta bëjë më të nevojshme vaksinimin sa më të shpejtë të publikut.
Duke nisur nga dita e hënë pasagjerët që mbërrijnë në SHBA nga Britania, përfshirë edhe shtetasit amerikanë, janë të detyruar të paraqesin testin për COVID-19, i cili duhet të jetë kryer 72 orësh para nisjes. Qeveria amerikane mund të zgjerojë numrin e vendeve, udhëtarët e të cilave do të jenë të detyruar të paraqesin prova se janë testuar negativë për COVID-19, krahas atyre që vijnë nga Britania. Lajmi iu konfirmua të mërkurën agjencisë Reuters nga disa burime me dijeni mbi këtë çështje.
Top Channel