Të paktën 20 persona, duke përfshirë disa klerikë myslimanë, u arrestuan të enjten pasi një turmë sulmoi dhe i vuri flakën një tempulli Hindu në Pakistanin veriperëndimor, tha policia.
Rreth 1.500 myslimanë zbritën në tempull – i cili u shkatërrua në rrethana të ngjashme më 1997 – pasi zhvilluan një protestë kundër rinovimeve në një ndërtesë ngjitur e cila është në pronësi të hindusëve.
Tempulli ndodhet në një fshat të largët në rrethin Karak, rreth 160 kilometra në juglindje të Peshavarit. “Ne kemi arrestuar 26 persona duke përfshirë klerikë vendas për shkatërrimin e një tempulli dhe nxitjen e trazirave”, tha zyrtari i policisë lokale Fazal Sher për agjencinw AFP. Ai shtoi se policia po kërkonte për 50 persona të tjerë të identifikuar nga videot e sulmit.
Diskriminimi dhe dhuna ndaj pakicave fetare janë të zakonshme në Pakistan, ku myslimanët përbëjnë 97 për qind të popullsisë dhe hindusët rreth dy për qind.
Irfanullah Khan, shefi i policisë së rrethit, gjithashtu konfirmoi arrestimet.
Ai i tha AFP-së se një shtëpi ngjitur me tempullin u ble kohët e fundit nga komuniteti hindu dhe po rinovohej, gjë që ofendoi vendasit.
Hindusët nuk kanë jetuar në këtë zonë që nga ndarja e Indisë së udhëhequr nga britanikët më 1947 kur u krijua Pakistani, por besimtarët hindu herë pas here vizitojnë tempullin dhe varrin e shenjtit hindu Shri Paramhans, i cili sipas besimit hindu vdiq në këtë fshat më 1919 .
“Këta njerëz kanë sjellë një emër të keq në zonën tonë dhe kanë prishur imazhin e shtetit”, i tha AFP-së një banor lokal, Ameen Pashteen.
Më parë këtë muaj, Shtetet e Bashkuara vendosën Pakistanin në një listë të “vendeve me shqetësim të veçantë” për shkeljet e lirisë fetare.
“Shkatërrimi i tempullit Hindu në Karak është edhe një shembull tjetër i diskriminimit të vazhdueshëm me të cilin përballet komuniteti Hindu i rrethuar në Pakistan”, tha Rimmel Mohydin, njw aktivist pakistanez në Amnesty International.
Top Channel