Zgjedhjet e raundit të dytë në shtetin amerikan të Xhorxhias kanë implikime të thella për demokratin Joe Biden, i cili do të betohet si president më 20 janar. Dy vendet e Senatit që do të përcaktohen nga kjo garë, do të vendosin se kush do ta ketë aty kontrollin. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike O’Sullivan shpjegon.
Presidenti në largim Donald Trump ka bërë fushatë në emër të kandidatëve republikanë. “Votuesit në Xhorxhia do të përcaktojnë se cila parti drejton çdo komision, përpilon çdo legjislacion, kontrollon çdo dollar të taksapaguesve.” Gara është e fortë. Senatorja aktuale republikane Kelly Loeffler është e mbërthyer me pikë të barabarta në sondazhe kundrejt kandidatit demokrat Raphael Warnock.
Sipas sondazheve, gara midis kandidatit demokrat Jon Ossoff dhe senatorit aktual republikan David Perdue është gjithashtu e ngushtë. Ndërsa demokratët vazhdojnë të mbajnë një shumicë të vogël në Dhomën e Përfaqësuesve … republikanët kontrollojnë Senatin. Rezultatet më 5 janar mund t’i japin fund këtij kontrolli në seancën e ardhshme të Kongresit. “Nëse demokratët i fitojnë të dyja vendet, do të ketë 50 republikanë dhe 50 demokratë”, thotë Sherry Bebitch Jeffe, analiste politike. Dhe demokratja Kamala Harris, e cila do të betohet si nënpresidente e SHBA, do të ketë mundësinë të votojë për të miratuar çdo masë në rast të një barazimi.
Fitorja e Presidentit të zgjedhur Joe Biden në Xhorxhia në nëntor ndryshoi prirjen e këtij shteti jugor që ka votuar gjithmonë një republikan për president. “Kjo është një fitore e madhe për demokratët. Edhe dalja në dy balotazhe, edhe pse ka pak mundësi që demokratët të fitojnë të dyja vendet, është një shenjë që tregon se Xhorxhia po lëviz së bashku me pjesët te tjera të Jugut, drejt një koalicioni të ri”, thotë Raphael Sonenshein me institutin Pat Brown.
Një koalicion i afrikano-amerikanëve, të bardhëve, aziatikëve dhe hispanikëve në qytete dhe periferi. Por gara do të përcaktohet nga ata që dalin për të votuar. “Demokratët po veprojnë me guxim, duke trokitur në çdo derë, madje edhe në kohë pandemie”, thotë analistja Sherry Bebitch. Republikanët kryesojnë në grumbullimin e fondeve ndërsa mbetet për t’u vendosur beteja e fundit e këtyre zgjedhjeve të trazuara./VOA
Top Channel